MENU
klinika

"Pse ndodhin shpërthime para zgjedhjeve"

Grekët irritohen ndaj akuzave turke, mediat ngrenë dyshime

15.11.2022 - 12:38

PKK fajësohet drejtpërdrejt nga qeveria turke për shpërthimin e Stambollit ku theksohet se i dyshuari kryesor i arrestuar, gruaja siriane Ahlam Albasir, ka vepruar me urdhër të organizatës kurde.

Zyrtarët qeveritarë thonë se gruaja ishte trajnuar nga luftëtarët kurdë në Siri dhe kaloi në Turqi përmes Afrinit. Në të njëjtën kohë, ministri i Brendshëm turk pretendoi se nëse nuk arrestoheshin, ai do të ikte në Greqi ku do të gjente strehim aty.

Pikërisht kjo deklaratë ka irrituar jo pak mediat dhe politikanët grekë, të cilët i janë përgjigjur akuzave turke me një detaj që deri më tani ishte vënë në dukje vetëm nga grupe opozitare në Turqi.

Ai ka të bëjë me faktin se shpërthime të ngjashme si ai i dy ditëve më parë ndodhin në Turqi sa herë ka zgjedhje dhe sipas tyre, kjo bëhet për të rritur popullaritetin e qeverisë atje. Qeveria turke ka mohuar me forcë diçka të tillë duke theksuar se çdokush duhet ta dënojë terrorizmin, ndërsa më herët akuzoi SHBA-të për nxitje të këtij sulmi.

Çfarë shkruan Protothema për rastin në fjalë:

Pas qëndrimit të përmbajtur që tregoi vetëm në orët e para të sulmit, qeveria turke instrumentalizoi sulmin, të cilin e përfshiu në narrativën e saj bazë dhe tashmë të njohur: Kërcënimi terrorist vjen kryesisht nga PKK dhe Perëndimi është përgjegjës për mbështetjen dhe armatosjen e degës së saj siriane, YPG në Siri. Ministri turk i Drejtësisë deklaroi se Turqia “jo vetëm që po lufton PKK-në por “edhe kundër vendeve që i lëshuan kundër nesh”(!) duke theksuar prerazi se “Franca, SHBA dhe Gjermania mbështesin PKK-në. /Terroristët e YPG’!

Në këtë klimë, dje Soylou refuzoi të pranonte ngushëllimet e ambasadës amerikane. “Ata po ushqejnë zonat e mbushur me terroriste si Kobani, duke synuar prishjen e qetësisë së Turqisë dhe duke dërguar para me shumicë në këto zona. Aleanca jonë me një shtet të tillë duhet të ridiskutohet. Nuk jemi armiq të askujt dhe as nuk kemi mashtruar askënd. Dua të them që nuk kemi forcë t’i rezistojmë tradhtisë”, tha ai në mënyrë duke akuzuar drejtpërdrejt SHBA-të.

Autoritetet turke pretendojnë se kanë dokumente audio të komunikimeve të Albasir me PKK-në. Ky i fundit, megjithatë, mohoi kategorikisht të jetë përgjegjës për goditjen. Zyrtarët turq në deklaratat e tyre për mediat ndërkombëtare i referohen edhe mundësisë së përfshirjes së ISIS, për të cilën deri më tani nuk është përmendur.

Duhet theksuar se sulmi ndodhi pak pasi presidenti turk “theu akullin” me partinë parlamentare kurde HDP, teksa u takua me zyrtarët e saj, në funksion të referendumit që po planifikon për shaminë. Në të njëjtën kohë, regjimi i Erdoganit ka arrestuar dhjetëra anëtarë të partisë kurde me akuzën e “terrorizmit”, ndërsa më parë kishte shqyrtuar mundësinë e ndalimit të saj, gjë që kërkohej nga partneri i tij qeveritar, Devlet Bahceli.

Sulmet e përgjakshme tronditën Turqinë edhe para zgjedhjeve të vitit 2015. Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Erdoganit, Ahmet Davutoglu dhe më vonë kundërshtari dhe kritiku i ashpër i tij denoncoi presidentin turk për përfshirje të drejtpërdrejtë në to!

Më konkretisht, si kreu i partisë së vogël opozitare që themeloi në vitin 2019, ai bëri një deklaratë “bombë”. Ai haptas ia atribuoi shpërthimet e vitit 2015 një operacioni të orkestruar nga “paramilitarët e regjimit”.

Qëllimi i atij provokimi të përgjakshëm, sipas fjalëve të tij, ishte ndryshimi i klimës politike në Turqi dhe drejtimin e saj në favor të partisë së Erdoganit! Në ato zgjedhje të qershorit, partia e Erdoganit kishte humbur shumicën për herë të parë. Rezultati i zgjedhjeve e kishte befasues. Në vend që të vazhdonte me formimin e qeverisë, ai kishte zgjedhur edhe një lojë shtyrje politike që zgjati me muaj. Më pas Davutoglu mori përsipër të negociojë me palët e tjera, por nuk u arrit marrëveshje.

Pikërisht atëherë Turqia filloi të goditet nga shpërthime në dhjetëra qytete. Më e përgjakshme ishte ajo që ndodhi jashtë stacionit të trenit në Ankara, vetëm tre javë para se të mbaheshin zgjedhjet e balotazhit në nëntor 2015.

Mijëra qytetarë ishin mbledhur atje për të marshuar për paqe. Thirrje për tubimin kishin bërë disa sindikata dhe parti politike të së Majtës, si dhe partia kurde, Partia Demokratike e Popullit (HDP). Autoritetet arritën në përfundimin se sulmi, i cili vrau 103 civilë dhe plagosi më shumë se 400, u krye nga dy kamikazë.

Gjatë asaj periudhe të diskutueshme, shumë intelektualë dhe kundërshtarë të Erdoganit hodhën dyshime të forta se gjithçka ndodhi për të rritur mbështetjen ndaj Erdoganit. Në zgjedhjet e nëntorit 2015, Erdogan fitoi sërish shumicën, ku një nga karikaturistët më të njohur të vendit deklaroi ashpër: “Kur kjo parti humbet, ndodhin gjëra të këqija, ndaj le të sundojë”!

Forcat zjarrfikëse në luftë me flakët (Video)

Greqia e izoluar nga zjarret prej tre ditësh

“Shqiptarët i duan dokumentet tona, për të ikur në Angli”

Grekët të shqetësuar: Po krijohen mungesa të mëdha fuqie punëtore