MENU
klinika

Legjenda në gjendje të rëndë

Pele ndërpret kimion, kalon në terapi intensive

03.12.2022 - 17:14

Ikona e futbollit botëror Pele është zhvendosur në terapi intensive, pasi nuk po i përgjigjet më kimioterapisë në betejën e tij me tumorin, sipas raporteve në Brazilin e tij të lindjes. 82-vjeçari, i cili u dërgua në spital javën e kaluar, po merr qetësues për dhimbjet.

Trajtimi në zorrën e trashë ka pushuar së funksionuari. Pele u shtrua në spitalin “Albert Einstein” në Sao Paulo të martën me simptoma të ‘ënjtjes së përgjithshme’ dhe ‘dështimit të zemrës’. Të enjten, Pele u mundua të siguronte fansat e tij se kjo vizitë në spital ishte rutinë.

Një postim në llogarinë e Peles në Instagram dukej se do të largonte çdo shqetësim serioz. Bashkangjitur një fotografie të një mesazhi ‘shërohu shpejt’, të shfaqur në ndërtesat e Kupës së Botës në Katar, braziliani shkroi:

“Miq, jam në spital duke bërë vizitën time mujore. Është gjithmonë mirë të marrësh mesazhe pozitive si ky. Faleminderit Katarit për këtë nderim dhe të gjithëve që më dërgojnë urime të mira!”

Pavarësisht mesazhit të tij qetësues, “Folha de Sao Paulo” raportoi të shtunën se Pele nuk po i përgjigjet trajtimit të kimioterapisë që ka marrë prej muajsh. Raporti shton se ish-sulmuesi nuk do t’iu nënshtrohet testeve ose trajtimeve invazive.

Pele shpërtheu në skenën globale si 17-vjeçar në Kupën e Botës 1958, duke ndihmuar Brazilin të arrinte të parin nga pesë triumfet rekord. Lëndimi ndikoi në kontributin e tij në finalet 1962 dhe 1966, por u kthye për të udhëhequr Brazilin drejt një triumfi të tretë në “Meksikë 1970” si pjesë e asaj që konsiderohet gjerësisht kombëtarja më e madhe e të gjitha kohërave.

Zyrtarisht, Pele shënoi 757 gola në 831 ndeshje gjatë një karriere të shkëlqyer nga viti 1957 deri më 1977, megjithëse klubi i Santosit pretendon se numri i tyre është 1000.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN