MENU
klinika

Emrat që rrezikojnë

BE kërkon arrestime “VIP”, gati të nisë ofensiva

19.01.2023 - 13:16

Procesi i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po ecën përpara, ndërkohë që ky lajm duket se do t’iu hapë shumë punë institucioneve të drejtësisë, më në krye Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuara dhe Korrupsionit dhe Byronë Kombëtare të hetimit, dy organe këto që kanë në dorë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dy ditë më parë përfundoi procesi i shqyrtimit analitik të grupit të parë të kapitujve, që fokusohen kryesisht në të drejtat themelore të BE-së, sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Ndërsa dje në Bruksel nisën takimet dypalëshe të shqyrtimit analitik të grupit të dytë të kapitujve, ku trajtohen katër liritë themelore të tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian: lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit, krahas politikës së konkurrencës, pronësisë intelektuale dhe të drejtën e kompanive, shërbimet financiare, mbrojtjen e konsumatorit dhe të shëndetit. Por mbyllja e kapitujve të parë, do të thotë se Tirana zyrtare është përpara “provës së zjarrit” për plotësimin e kushteve të BE, për shkak se lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë dy prej kritereve kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria, në mënyrë që treni i integrimit të shkojë përpara dhe të mos ndalet. Pra, me mbylljen e këtyre kapitujve, pritet të nisë ofensiva ndaj të korruptuarve. Thënë troç fati i integrimit europian të Shqipërisë, varet pikërisht nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit, për shkak se negociatat nisin dhe mbyllen pikërisht me fushën e drejtësisë, për të cilat Brukseli kërkon një punë të shkëlqyer.

Të rrezikuar, ministra dhe ish-ministra
Por përfundimi i procesit të shqyrtimit analitik të grupit të parë të kapitujve, duket se është një ultimatumi për kreun SPAK, Altin Dumani dhe një është një mesazh i fortë për gjithë politikanët dhe zyrtarët e përfshirë në afera kriminale dhe korruptive në Shqipëri. Njëri prej atyre që rrezikohen nga ofensiva e Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzohet nga Londra dhe Uashingtoni si i korruptuar, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, për të cilin SPAK ka nisur dy hetime për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe disa ish-ministra socialistë, sikundër është zoti Ilir Beqaj, që Prokuroria e Posaçme po e heton për koncesionet në shëndetësi, apo edhe disa nga ministrat aktualë të qeverisë “Rama 3” dhe ish-ministra të PS-PD, për të cilët gjithashtu kanë nisur hetime nga organi i akuzës për aferën e inceneratorëve. Pra, mesazh që vjen nga Brukseli, është një “kushtrim” për Berishën, Metën dhe shumë ministra që janë përfshirë në afera, për të cilët BE kërkon të hetohen dhe japin llogari para drejtësisë për zullumet që kanë bërë, në kuadër të plotësimit të kushteve dhe çeljes së negociatave me Shqipërinë.

Prioritetet e nxjerra nga komisioni që përfshihen në kapitullin 23
Ministria e Drejtësisë, është në cilësinë e institucionit lider për prioritetin 2 “Sistemi Gjyqësor”, prioritetin 3 “Lufta kundër korrupsionit”, si dhe institucion kontribuues për prioritetin 5 “Mbrojtja e të drejtave të njeriut”.

PRIORITETI 1– Sistemi gjyqësor –Reforma në drejtësi do të kalojë nëpër tre faza strategjike, ku faza aktuale ofron bazën ligjore dhe institucionale, faza tjetër (2021-2025) do të mbulojë konsolidimin ligjor dhe institucional, dhe një fazë përfundimtare duke filluar nga viti 2026 do të mbulojë zgjerimin dhe zhvillimin e shërbimeve të ofruara sipas standardeve më të mira europiane. Vendi ynë është inkurajuar të vazhdojë me zbatimin e Strategjisë Ndërsektorale për Reformën në Drejtësi, në kuadër të forcimit të shtetit ligjor duke marrë masa konkrete për të promovuar një gjyqësor të paanshëm, të pavarur, transparent, llogaridhënës dhe efektiv. Udhëzohet të hartojë një plan gjurmueshmërie mbi inspektimet gjyqësore, gjykimet dhe masat disiplinore dhe një tjetër mbi ankesat. Regjistrimi i seancave gjyqësore duhet të shtrihet në të gjitha gjykatat, dhe botimi i vendimeve duhet të sigurohet në zbatim të plotë të legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithashtu kërkohet që Ligji për Profesionin e Avokatit të zbatohet në mënyrë rigoroze, të sigurojë punën në mënyrë efektive të komitetit disiplinor dhe të rrisë llogaridhënien e avokatëve.

PRIORITETI 2 – Politikat Kundër Korrupsionit- Lufta kundër korrupsionit është një ndër pesë politikat të cilat vendi ynë këshillohet t’i ndjekë me përparësi në procesin e integrimit europian të vendit. Shqipëria duhet të vazhdojë në zhvillimin e një plani gjurmueshmërie të hetimeve, gjykimeve dhe dënimeve në çështjet e korrupsionit në të gjitha nivelet, përfshirë dhe çështje me profil të lartë. Autoritetet duhet të vazhdojnë me ekzaminimin e funksionimit të kuadrit të përgjithshëm ligjor duke përfshirë dhe politikat eficiente për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit dhe pasi kushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare janë përmbushur. Qasja duhet të jetë parandaluese, ndëshkuese dhe ndërgjegjësuese. Numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot, dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara. Organet e themeluara të specializuara anti-korrupsion (SPAK dhe Gjykatat Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) pritet të forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin.

PRIORITETI 3 – Të Drejtat e Njeriut – Shqipëria ka bërë përpjekje për të përmbushur detyrimet në lidhje me krijimin e kuadrit ligjor për respektimin e të drejtave themelore. Megjithatë objektivat për të arritur standardet europiane kërkojnë më shumë përkushtim. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë e ka si pjesë të strategjisë së saj krijimin e një sistemi dedikuar drejtësisë për të mitur, duke përfshirë legjislacionin përkatës dhe për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet policisë, oficerëve gjyqësorë/prokurorëve, gjykatësve, dhe kujdestarëve, si dhe procedurat e drejtësisë miqësore për fëmijët edhe për fëmijët e viktimave, dëshmitarët apo palët e interesuara në krime dhe procedurat administrative. Vend për progres ka dhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve dhe regjistrimit të pronave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarohet ambasadori amerikan

‘Ka ardhur koha të luftohet korrupsioni’

Mosdeklarimi i të ardhurave

‘5 milionë lekë gjoba për zyrtarët’