MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Sa ndikojnë faktorët hormonalë në zhvillimin e prostatës?

27.02.2023 - 11:51

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Sa ndikojnë faktorët hormonalë në zhvillimin e prostatës?

Mjeku: Androgenët luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e prostatës normale, si edhe në trajtimin e karcinomës së prostatës. Supozohet se nivelet e larta të testosteronit dhe të dihidro-testosteronit për një kohë të gjatë, mund të rrisin rrezikun e karcinomës prostatike.

Faktorë të tjerë janë akuzuar si nxitës, por jo të konfirmuar plotësisht, si p.sh.: ndikojnë faktorët ambientale, duhani, konsumi i alkoolit, aktiviteti fizik, aktiviteti seksual, faktore socio-ekonomike, etj.

Në 70% të rasteve adenokarcinoma e ka origjinën nga pjesa periferike e prostatës, zakonisht me lokalizim posterior (të pasëm). Për këtë arsye ekzaminimi digital rektal, merr një rëndësi të veçantë diagnostike sepse kjo zonë është e prekshme me anë të këtij ekzaminimi. Në rreth 20% të rasteve adenokarcinoma lokalizohet në pozicionin antero-medial. Zona qendrore rrallë herë është zona ku lokalizohet tumori me rreth 5% të rasteve.

Evolucioni natyral i sëmundjes vazhdon me përhapje lokale në vetë gjendrën dhe mandej në infiltrimin në vezikulat seminale, në qafën e fshikëzës së urinës dhe në uretrën prostatike, që manifestohet me fenomenet obstruktive me vështirësi në urinim, me urinim të shpeshtë (polakiuria) dhe nganjëherë edhe me gjak në spermë (emospermia).

Në stade të avancuara ndodh edhe infiltrimi në dyshemenë pelvike, në rektum që manifestohet me tenezma. Metastazat mund të përhapen në rrugë limfatike dhe me këtë rrugë infiltrohen limfonodulat pelvike dhe para-aortike, ndërsa me rrugën hematike (të gjakut ), zakonisht metastazat zhvillohen në kolonën vertebrore lumbare dhe më rrallë në kockat e kofshës, në pelvis, si edhe në brinjë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.