MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Hepatit A, si mund të infektohesh?

07.04.2023 - 10:29

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Jam një vajzë 23 vjeç dhe doja të merrja më shumë informacion rreth hepatitit A. Doja të dija se si mund të infektohesh dhe çfarë pasojash mund të shfaqen nëse prekesh nga ky infeksion?

Mjeku: Së pari do sqaroja se Hepatiti A është një sëmundje inflamatore e mëlçisë që shkaktohet nga një mikroorganizëm që quhet virusi i hepatitit A. Infeksioni është mjaft i përhapur në vendet në zhvillim dhe trasmetohet nëpërmjet rrugës oro-fekale: duke pirë ujë apo ngrënë ushqime të ndotura me materiale fekale që përmbajnë virusin. Pasi gëlltitet, virusi që përthithet nga stomaku, arrin në mëlçi nëpërmjet gjakut, dhe riprodhohet në qeliza hepatike. Ushqimet “më të rrezikshme” janë frutat e detit të kontaminuara që konsumohen në gjalla dhe perimet e paziera dhe të palara mirë. Burim tjetër infeksioni është dhe kontakti direkt me personin e infektuar. Përhapja e sëmundje lidhet me mungesën e kushteve higjeno-sanitare të popullatës. Periudha e inkubacionit është nga 15-20 ditë, deri në një muaj. Për sa i përket pyetjes së çfarë pasojash mund të shfaqen nëse prekesh nga ky infeksion, do të shtoja se kjo formë hepatiti ka një ecuri mjaft të mirë. Pacientët arrijnë të shërohen plotësisht brenda pak muajsh. Gjithësesi ndryshe nga format e tjera, hepatiti A nuk evoluon në forma kronike dhe nuk jep dëmtime që zgjasin për gjithë jetën në mëlçi. Në raste shumë të rralla, dhe nëse pacienti shfaq forma të tjera hepatike, mund të kalojë në forma fulminante.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.