MENU
klinika

Rrëmbimi i 3 Policëve të Kosovës

Albin Kurti publikon pamjet dhe hartën e vendit ku ndodhi ngjarja

20.06.2023 - 22:21

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar pamjet nga momenti i rrëmbimit të 3 efektivëve nga forcat serbe dhe hartën e vendit ku ndodhi ngjarja.

Përmes një reagimi krahas fotografive të postuara në Facebook, Kurti është shprehur se rrëmbimi i 3 policëve ndodhi 1 kilometër brenda territorit të Kosovës, teksa efektivët ishin në tryezën e ngrënies.

Kurti i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të dënojë agresionin serb, që sipas tij ka shkelur rregullat ndërkombëtare.









Reagimi i Kurtit:
Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët.

Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës.

Ne jemi në të drejtën tonë, në të drejtën e Republikës dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe të pacenuar.

Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999.

Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës.