MENU
klinika

"SHBA po inkurajon Kosovën të qetësojë vendin"

Hovenier pas takimit me Kurtin: Situata në veri, urgjencë!

01.06.2023 - 18:29

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurtin, ka thënë se është urgjencë de-eskalimi i situatës në veri. Sa i përket takimit me kryeministrin e Kosovës, Hovenier njoftoi se kanë biseduar edhe për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

“Nuk mund të them se kam ndryshuar qëndrimin e kryeministrit, i cili është i shprehur shumë publikisht. Do të thosha që kemi pasur diskutim të mirë. Më duhet ta përsëris qëndrimin e SHBA-ve se çfarë duhet të ndodhë e cila është se tani nuk e shohim nevojën që këta 3 kryetarë të punojnë nga objektet”, tha ai.

“Nuk jam në pozitë të them [cfarë mund të jenë pasojat e tjera]. Por, SHBA-ja po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës për ta bërë atë që ne mendojnë që është e rëndësishme të bëhet tani: arritjen e qetësimit të situatës”, tha Hovenier.

Ndërsa i pyetur për sanksionet potenciale që mund t’ia vendosë SHBA-ja Kosovës për moskoordinim me të, Hovenier tha se “ka pasur disa pasoja, por shpresoj ta kalojmë [këtë situatë] që të mos ketë pasoja të tjera”.

Sot dita e 4-t e protestës në veri të Kosovës

Qytetarët serbë janë mbledhur sot sërish për të protestuar pranë komunave në veri të Kosovës. Protesta po zhvillohet përkatësisht para selive komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok. Kërkesat nga serbët janë të njejta, dorëheqja e kryekomunarëve të rinj shqiptar që u zgjodhën më 23 prill dhe forcave speciale të Policisë së Kosovës.Krahasuar me një ditë më parë, pjesëmarrja e protestuesve sot është më e ulët se dje. KFOR dhe policia kanë krijuar një perimetër sigurie para komunave për të shmangur çdo incident. Deri tani situata paraqitet e qetë.