MENU
klinika

"Shmangni masat e njëanshme"

Britania e Madhe: Të lirohen menjëherë policët!

16.06.2023 - 11:10

Britania e Madhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që u rrëmbyen nga Serbia dy ditë më parë në afërsi të Leposaviç. Në një deklaratë me shkrim të botuar në uebfaqen e Qeverisë së Britanisë të Madhe, kërkohet gjithashtu që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe të shmangen masat e njëanshme. Qeveria e Britanisë së Madhe gjithashtu ka theksuar se zgjedhjet e reja duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, theksohet në deklaratë.

Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?

Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Dy ditë më parë (14 qershor) në afërsi të Leposaviç, 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës u morën peng peng nga Forcat Speciale Serbe ‘Kobra’. Ngjarja ndodhi kur tre policët ishin duke patrulluar në kufi, në vendin e quajtur Tresave/ Bare.

Sipas Qeverisë së Kosovës, ky është një kundërpërgjigje për arrestimin 3 ditë më parë në Mitrovicën e Veriut, të serbit Millun Millenkoviç, një nga organizatorët e protestave të dhunshme në Veri. Serbia ka hedhur poshtë çdo pretendim. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.