“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Ekzema, si të dallojmë sëmundjen tek fëmijët e vegjël
Mjeku: Dermatiti atopik (ekzema ose rrjebulla e fëmijëve) është një sëmundje kronike, me shkaqe të panjohura, që vihet re në personat me histori personale ose familjare për atopi. Fillon herët në fëmijëri. Karakterizohet nga pruriti ose kruajtja, lezione ekzematoze dhe tharje e shprehur e lëkurës. Dermatiti atopik shoqërohet me sëmundje të tjera atopike (astma, riniti alergjik, urtikarie) dhe rritje të IgE.
Dermatiti atopik, ose ekzema e fëmijëve, është karakterizuar nga ndryshime akute, subakute dhe kronike në lëkurë.
Forma akute: karakterizohet nga papula(puçrra të vogla të ngritura mbi lëkurë) me kruajtje të shprehur, papula dhe vezikular (puçrrat me lëng) në lëkurë të skuqur.
Forma subakute: papula eritematoze (puçrra të kuqe), papula të grupuara ose të shpërndara mbi një lëkurë eritematoze ose të skuqur.
Forma kronike: lëkurë e trashë, e infiltruar, me puçrra të vogla ose noduse që kruhen shumë, të shoqëruara me kore në sipërfaqe të tyre, zona me ndryshime të ngjyrës së lëkurës, si hypo dhe hiperpigmentime (zbardhje ose errësim të ngjyrës së lëkurës).
Shenjat dhe lokalizimi ndryshojnë në varësi të moshës:
Infantilet ose foshnjat: Preken kryesisht koka, fytyra dhe sipërfaqet ekstensorë (pjesët e jashtme) të gjymtyrëve Që në javët e para fillon skuqja e kufizuar mirë, e mbuluar me papula të cilat më vonë formojnë vezikula e krusta.
Fëmijët e rritur preken kryesisht plikat antecubitale, fossea poplitea (pjesa e brendshme të bërrylit dhe e gjurit), qafa, kyçet.
Adultët: Zonat më të prekura janë sipërfaqet e zgjatura të ekstremiteteve, kryesisht në bërryla, gjunjë, pjesën dorsale të duarve dhe të këmbëve.
Pruriti ose kruajtja konsiderohet një shenjë kryesore në dermatitin atopik. Tharja e lëkurës mund të jetë e pranishme që në lindje ose të zhvillohet më vonë.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.