MENU
klinika

Qytetarët e Mitrovicës, të shqetësuar

Ibri thahet si asnjëherë më parë!

27.07.2023 - 14:07

Lumi Ibër në qytetin e Mitrovicës është shterur pothuajse krejtësisht tri ditë më parë, ndërsa qytetarët nuk mbajnë mend të ketë ndodhur diçka e tillë asnjëherë në të kaluarën.

Disa prej tyre mendojnë se janë temperaturat e larta që çuan në shterjen e këtij lumi, por të tjerët fajësojnë faktorin njeri për një situatë të tillë.

Peshqit tashmë kanë ikur nga ky lumë, ndërsa mitrovicasit thonë se bota tjetër nënujore është shkatërruar nga dielli.

Erblin Macula, qytetar nga Mitrovica, thotë për KosovaPress se ka dalë me familjarët të peshkojë në Ibër, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, për shkak të nivelit shumë të ulët të ujit dhe mungesës së peshkut.

Ai nuk mban mend shterje kaq të madhe të Ibrit ndonjëherë.

Ndonëse nuk përjashton mundësinë e ndikimit të temperaturave të larta në rënien e nivelit të ujit në Ibër, ai konsideron se faji mund të jetë edhe te penda e liqenit të Ujmanit, prej nga vjen sasia e ujit për qytetarët e Mitrovicës.

Muhamedin Hetemi, një mitrovicas tjetër, gjendjen në lumin Ibër e quan katastrofë ekologjike të ekosistemit.

Ai, përveç temperaturave të larta, për këtë situatë fajëson edhe faktorin njeri, duke dyshuar se dikush qëllimshëm ka ndalur sasinë e ujit te penda e liqenit të Ujmanit.

Hetemi, duke evokuar kujtimet nga e kaluara, rrëfen për kohët kur në Ibër janë larë fëmijët dhe të rinjtë, kur Ibri ishte përplot me peshq, gaforre e gjallesa tjera, por edhe kur ky lumë shërbente si mjet transporti për drutë, të cilat qytetarët i blinin në Kollashin dhe i hidhnin në Ibër, valët e të cilit i bartnin këta dru deri në Mitrovicë.

Edhe Isuf Jashari, 74-vjeçar poashtu nga Mitrovica, bënë të ditur se nuk mban mend të ketë parë nivel kaq të ulët të ujit në Ibër.

Ndërkaq, Arif Kadriu nga shoqëria civile, njëherit anëtar i Shoqatës së peshkatarëve në Mitrovicë, duke e quajtur të tmerrshme situatën e krijuar para pak ditësh në Ibër, dyshon se kjo ka mundur të ndodhë vetëm në pendë që gjendet te Zubin Potoku, ku dikush e ka ndalur ujin.

Sipas tij, peshqit kanë shpëtuar duke ikur në lumin e Sitnicës, por bota tjetër nënujore, duke përfshirë këtu edhe insekte të ndryshme, janë shkatërruar krejtësisht nga dielli.

Në anën tjetër, Komuna e Mitrovicës përmes një komunikate në faqen e saj zyrtare, e ka quajtur alarmuese shterjen e Ibrit dhe njëkohësisht rrezikimin me ujë të pijes për qytetarët në këto temperature të larta.

“Komuna e Mitrovicës ka kërkuar sqarim dhe sipas informatave nga organet kompetente, arsyeja e mungesës së ujit është për shkak të punimeve të zhvilluara në liqenin e Ujmanit”, thuhet mes tjerash në këtë komunikatë.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me përgjegjësit e Ndërmarrjes Hidroekonomike ‘Ibër-Lepenc’ rreth kësaj çështjeje, mirëpo disa nuk kanë pranuar të flasin, ndërsa të tjerët kanë qenë të paqasshëm në telefonat e tyre. /KosovaPress/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Shkupi ngre alarmin për sulme nga Rusia

Demiraj: Mali i Zi është më i rrezikuari në Ballkan

“Dështuan të mbajnë fjalën për dialogun"

BE-ja kritika Kosovës dhe Serbisë!

"A mos më kanë vendosur një çip në kokë?"

Vuçiç humb kontrollin, përplaset me gazetaren

Vendimi i Dodik do të ndezë luftën në Ballkan

Pse rezoluta për Srebenicën do të hapë “Kutinë e Pandorës”?

Ja nga kush po pret “dritën jeshile”

Pahor përgatit draftin për dialogun Kosovë-Serbi