MENU
klinika

Shkarkime, hyrje të reja dhe “shkëmbime” postesh!

Kush janë 7 lëvizjet e Ramës, emrat që s’do jenë më pjesë e kabinetit qeveritar!

05.09.2023 - 09:55

Kryeministri Rama, ashtu sikurse kishte paralajmëruar, prezantoi dje para Asamblesë Kombëtare të PS-së ndryshimet e rëndësishme në kabinetin qeveritar.

Në total janë 7 lëvizje, në ministri të ndryshme, ku bien në sy hyrjet e reja, por edhe “shkëmbimi” i posteve. Dy ndër lëvizjet më thelbësore janë ato që përfshijnë Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ministrinë e Financave.

Në krye të diplomacisë shqiptare, si ministër MEPJ do të jetë Iglis Hasani, i cili vitet e fundit ka mbajtur një sërë pozicionesh të rëndësishme për Shqipërinë në OSBE. Hasani zëvendëson në këtë post Olta Xhaçkën.

Në krye të Financave është propozuar nga kreu i qeverisë Ervin Mete, i cili deri më tani ka mbajtur postin e zëvendësministrit. Mete do të marrë drejtimin e ministrisë, duke zëvendësuar Delina Ibrahimajn. Kjo e fundit do të jetë në krye të Ministrisë për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Rama propozoi ndryshim edhe në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ku me largimin e Ogerta Manastirliut, në krye të këtij institucioni do të jetë Albana Koçiu, e cila deri më tani ka qenë drejtuese e DAP. Por, Manastirliu qëndron në kabinet, duke u ‘spostuar’ ministre e Arsimit.

Sikurse edhe pritej, Frida Krifca është larguar nga kabineti qeveritar dhe do të zëvendësohet nga Anila Denaj.

Futet në qeveri edhe nënkryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, i cili do të jetë ministër Shteti i Pushtetit Vendor. Si pasojë e këtyre ndryshimeve në kabinetin qeveritar, pesë drejtues të ministrive të ndryshme largohen nga kabineti qeveritar.

Edona Bilali, ministre për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, largohet nga radhët e kabinetit qeveritar. Kryeministri Edi Rama njoftoi dje edhe ndryshimet në sekretariat.

“Me propozim të sekretarit përgjithshëm në detyrë Blendi Klosi, unë ju kërkoj të miratoni strukturë dhe përbërjen e re të Sekretariatit të Partisë, të cilin do ta votojë asambleja në kongres”, tha Rama.

Ai paralajmëroi thirrjen e Kongresit Kombëtar të PS në tetor. Sipas Ramës, në mbledhjen e Kongresit të PS do të votohet edhe përbërja e re e Sekretariatit të PS, e miratuar në Asamble.

MINISTRAT E RINJ

Igli Hasani, një emër jo shumë i njohur në jetën politike shqiptare, është ministri i ri i Jashtëm. Igli Hasani aktualisht ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit të Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së.

Përpara anëtarësimit në OSBE, ambasadori Hasani ka qenë Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë. Në janar 2021, ai mori postin e Kryetarit të Grupit të Partnerëve Aziatikë për Bashkëpunim.

Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, ambasadori Hasani ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019. Ambasadori Hasani ka një përvojë 17-vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013- 2014) dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013- 2014).

Ai ka diplomuar në Drejtësi, Sociologji dhe Filozofi nga Universiteti i Tiranës, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga King’s College në Londër, si dhe është diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes. Ervin Mete momentalisht ka mbajtur pozicionin si drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga maji 2020. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019. Mete ka shërbyer si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë (2013-2017), përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik.

Gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësisht i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar, përfshirë ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe ndryshimet në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”.

Ervin Mete ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar dhe ka mbajtur pozicionin e koordinatorit kombëtar për Programin e Reformave Ekonomike me BE. Mete është lektor i së drejtës fiskale pranë Shkollës së Magjistraturës.

Ai ka shërbyer si ekspert dhe konsulent i Bankës Botërore (2011), Komisionit Evropian (2008) dhe PNUD-it (2007). Ervin Mete mban gradën Master nga Universiteti i Harvardit, SHBA (LL.M. 2010) dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës – LSE (LL.M. 2009), ku është specializuar në të drejtë fiskale dhe të drejtë korporatash. Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate të shkëlqyera (2006). Z. Mete zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

NDRYSHIMET E PROPOZUARA

Ervin Mete, Ministër i Ekonomisë dhe i Financave

Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

Anila Denaj, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ogerta Manastirliu, Ministër i Arsimit dhe Sportit

Albana Koçiu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen

Arbi Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor

Shkrihet Ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet