MENU
klinika

Detajet bëjnë diferencën

Skanimi CT tregon dallimin mes AirPods-ave origjinale dhe atyre falso

15.11.2023 - 12:59

Një ekspert i produkteve të teknologjisë ka treguar përmes një videoje në X dallimin mes kufjeve AirPods origjinale dhe atyre që janë replikë.

Ndonëse kufjet AirPods mund të duken mjaft të ngjashme nga jashtë, nëse hedhim një vështrim brenda, zbulojmë disa ndryshime të mëdha në cilësi, transmeton Telegrafi.

Një dallim të tillë e ka bërë Jon Bruner, kreu i marketingut në Lumafield, një prodhues i pajisjeve kompjuterike i specializuar në skanerët CT për inxhinierët që përdorin produktet e teknologjisë.

Bruner ndau disa foto në X që tregonin skanime me CT të një palë kufjeve AirPods origjinale në krahasim me ato të falsifikuara.

Lumafield shqyrtoi disa ndryshime kryesore midis baterive, qarkut dhe cilësisë së përgjithshme të kufjeve AirPods reale dhe të falsifikuara.

Kufjet e skanuara ishin një palë AirPods Pro, që janë më të shtrenjtat të Apple.

Ai publikoi një video ku përmes skanimit, kufjet e para ishin origjinale derisa dy tjera ishin falso.

Kufjet e vërteta AirPods kanë bateri të vogla me qeliza butonash që i bëjnë të funksionojnë me efikasitet derisa edhe në madhësi janë mjaft të vogla për t’u përshtatur në veshët e shumicës së njerëzve, sipas Lumafield.

Sidoqoftë, AirPods-et e rreme kanë bateri me qese litium-jon, të cilat mund të jenë më pak të sigurta. Bateritë përcaktojnë formën e kufjeve, duke i bërë ato pak më të rënda dhe potencialisht më pak të rehatshme.

AirPods falso gjithashtu kanë më pak mikrofona, kështu që nuk do të keni aq cilësi të mirë të zërit sikurse me AirPods-at origjinale, sipas Lumafield.

Disa gjëra të tjera që vuri në dukje Lumafield ishin kufizimet në karikimin me valë dhe mungesa e magneteve që sigurojnë AirPods në kutinë e karikimit.

Si mund ta kuptoni nëse i keni AirPods-at origjinale?

Përdoruesit mund të vizitojnë faqen e internetit Check Coverage të Apple dhe të vendosin numrin serial të AirPodsave, i cili ndodhet brenda kutisë së ngarkimit për të kontrolluar garancinë. Nëse faqja nuk arrin të verifikojë numrin, atëherë me shumë mundësi AirPods-at tuaj janë të rremë.

Një inspektim i detajeve të AirPodsave tuaj gjithashtu mund të ndihmojë. Kontrolloni për gabime gramatikore ose drejtshkrimore në paketimin e AirPodasve. Kur i lidhni me telefonin tuaj, kufjet duhet të jenë të aftë të lidhen me aplikacionin “Find My”.