MENU
klinika

SHBA dhe Kosova 'zbusin qëndrimet'

Kurti i gatshëm t’i adresojë shqetësimet amerikane për dinarin

15.03.2024 - 12:09

I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ka deklaruar se kanë pasur një diskutim të mirë për çështjen e dinarit. Escobar tha para gazetarëve se Kurti e ka marrë parasysh shqetësimin amerikan për efektin e ndalimit të dinarit tek serbët lokalë dhe ka premtuar që do t’i marrë në shqyrtim disa prej propozimeve që ai i ka bërë në takim. “Patëm një diskutim shumë të mirë dhe e kam bërë shumë të qartë që askush s’ka nevojë të dëgjojë histori të njerëzve që preken më së shumti nga ky vendim. Sigurisht që ne prekemi nga historitë e njerëzve dhe ndikimin që ka pasur ky vendim në ta. Kryeministri ka marrë parasysh dhe premtuar që do të shqyrtojë disa prej propozimeve që i kam bërë sot”, ka thënë Escobar. Ai është pyetur për qasjen e SHBA-së ndaj Kosovës dhe për cilësimet si “të pabalancuar”, ku tha se SHBA gjatë gjithë këtyre viteve ka bërë çdo gjë në favor të Prishtinës zyrtare, duke filluar me përkrahjen për anëtarësim në Këshill të Evropës, përkrahjen për zgjedhje në veri, mbështetjen pas sulmit të 24 shtatorit dhe ndihmën për të marrë sistemin anti-tank “Javelin”. Pas këtyre, Escobar ka pyetur para gazetarëve sesi mund të jetë kjo qasje e pabalancuar. “Po ju them diçka. Çdo gjë që kemi bërë në këto vite kanë qenë në favor të Kosovës. Menjëherë pas Ohrit kemi mbështetur anëtarësimin tuaj në Këshill të Evropës, kemi mbështetur proceset demokratike, përfshirë edhe zgjedhjet në veri, kemi qëndruar përkrah jush edhe pas 24 shtatorit sulmit dhe ju ndihmuam të merrni “javelins”, ka deklaruar Escobar, duke reflektuar kështu se ka një zbutje të qëndrimeve nga të dyja anët, si nga SHBA dhe nga Kurti.

Mesazhet e Kurtit
Nga ana tjetër , Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën X, pas takimit me Escobar, njoftoi se këtij të fundit ia ka shprehur gatishmërinë për t’i adresuar shqetësimet amerikane për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Ai gjithashtu theksoi nevojën që SHBA-ja t’i kërkojë llogari Serbisë për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë shtatorin e vitit të kaluar në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, por edhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për të mbështetur tranzicionin e lehtësuar për zbatimin e vendimit të BQK-së. “E falënderova për mbështetjen e SHBA-së dhe theksova nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë. Gjithashtu e informova Escobarin për hapat që ka marrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin e BQK-së dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”, shkroi në mbrëmje kryeministri i vendit në një postim të shkurtër pas takimit. Escobar diskutoi edhe me partitë politike opozitare dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës mbi zhvillimet e fundit. Udhëheqës të partive opozitare vunë theksin te marrëdhëniet aktuale ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Kosovës. “Në atë që na u tha, qartë dhe zëshëm, nuk kanë qenë në një nivel kaq të ulët se sa që janë sot. Mungesa e bashkërendimit të ngushtë me aleatët tanë kryesor, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sjell pasoja për integrimin euro-atlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për të gjithë ne natyrisht”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. “Besoj që po shihet se tash jemi në atë periudhën ku po dënohemi për qasjen, për mënyrën si i kemi menaxhuar këto marrëdhënie, obligimet e marra nga plani franko-gjerman i mbështetur prej amerikanëve, kanë mundur me na dërgu përpara drejt NATO-s. Meqenëse (Albin) Kurti është kthyer mbrapa, pra po gjen tema me rrit populizmin, me rrit emrin e vet, po shihet që është e qëllimshme me e dënu Kurtin”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar Prishtinën se mungesa e bashkërendimit pengon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike. Zoti Escobar tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s kalon nëpër pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj dhe të gjitha ato duan të shohin përparim në çështjet që janë në pajtim me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gabriel Escobar: S’dua të hyj te pasojat, por mendoj se…

“Jemi të shqetësuar, Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner”

Escobar reagon sërish për ndalimin e dinarit serb

“Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të BE-së!”