Alban Skënderaj publikoi këngën e re “Plagë në gjysmëshpirt” gjatë fundjavës, ndërsa përmes një njoftimi në rrjetet sociale kishte treguar se këtë baladë e kishte shkruar për Miriam Canin dhe se i kushtohej nënës së saj të ndjerë.
“E kam shkruar saktësisht para 10 vitesh, edhe pse ka qenë gjithmonë më shumë e Miriamit sesa e imja si kënge. E kam shkruar menjëherë mbasi nëna e saj e dashur u largua papritur dhe tepër e re nga kjo botë. Unë hodha në vargje e muzikë dhimbjen e Miriamit, edhe pse përjetimi ishte i fortë edhe për mua… Miriami nuk ka mundur dot asnjëherë ta këndojë për shkak të emocioneve”, ishte shkrimi i këngëtarit shumë të dashur nga publiku, publikuar në Instagram.
Ndërsa në një postim në Twitter, këngëtarja ka pranuar se nuk ka mundur ta këndojë këtë këngë, edhe pse ka kaluar një dekadë që nga koha kur nëna e saj ndërroi jetë.
“Nuk e kam gjetur kurrë forcën në këto 10 vite t’i këndoj këto vargje që ti shkëpute nga shpirti im. E kam shumë të vështirë të shkruaj apo të flas për të pa me rrahur zemra çmendurisht fort. Koha shëron çdo plagë thonë…por unë di…”, ka shkruar Miriami.