MENU
klinika

NBA

Golden State, pa mëshirë ndaj rivalëve

01.04.2019 - 10:44

Golden State Warriors nuk fal rivalët në Koferencën e Perëndimit, duke mbajtur kreun e renditjes. Ndërsa veniten shpresat e Charlotte Hornets për një vend në zonën play off në Konferencën e Lindjes në NBA.

Skuadra me pronar legjendën e basketbollit amerikan, Michael Jordan, u dorëzua pa kushte në parketin e Golden State Warriors, 137-90.

Trioja e përbërë nga Stephen Curry (25 pikë), Klay Thompson (24 pikë) dhe Quinn Cook (21 pikë) dominoi që në fillim të sfidës, ndërsa në radhët e Hornets i vetmi që u shpëtoi kritikave ishte Guillermo Hernangomez, që e mbylli takimin me  22 pikë të shënuara.

Humbje në minutat e fundit për Denver Nuggets 90-95 ndaj Washington Wizards, edhe pse skuadra nga Colorado e udhëhoqi takimin thuajse në tre perioda.

Troy Brown  me 24 pikë dhe dyshja e formuar nga Jabari Parker (20 pikë) dhe Thomas Bryant (20 pikë e 14 “rebound”) u dhuruan fitoren e papritur skuadrës mike.

Sukses plot shkëlqim për Los Angeles Clippers 113-96 ndaj Memphis Griezzlies. Spikati veçanërisht Danillo Gallinari me 27 pikë e 14 “rebound”, pa nënvlerësuar mbështetjen e Montrezl Harrell (20 pikë)  dhe të Lou Williams (17 pikë).

San Antonio Spurs dështuan 106-113 përballë Sacramento Kings, me Buddy Hield që rezultoi më i miri për Kings me 26 pikë, por kjo fitore vlen vetëm për statistikë, pasi Sacramento  është matematikisht jashtë zonës play off.

Fitore pa vlerë e Los Angeles Lakers, 102-130 në parketin e  New Orleans Pelicans pa praninë e LeBron James, ndërsa Milwaukee Bucks, të konfirmuar forcë e parë në Lindje, “lëshuan” ndaj Atlanta Hawks, duke u mposhtur me vetëm një pikë diferencë në kohën shtesë, 136-135.