MENU
klinika

NBA

Warriors dhe Bucks “shtypin” rivalët

05.04.2019 - 11:19

U luajtën vetëm tri ndeshje në NBA e sigurisht spektakli dhe emocionet mbizotëruan sidomos në përballjen mes Philadephia 76ers dhe Milwaukee Bucks, ku përballeshin forca e parë e Konferencës së Lindjes me të tretën.

Në “Fargo Center” të Philadelphias gjithçka mbeti e hapur deri në minutat e fundit, por pikërisht në momentin më vendimtar Bucks treguan se jo më kot përbëjnë skuadrën më të mirë të sezonit të rregullt, duke fituar 122-128.

Plot 45 pikë, 6 asiste dhe 13 rikuperime ishin statistikat e Antetokounmpos, kandidatit kryesor për të fituar çmimin MVP të sezonit të rregullt, ndërsa Embiid iu afrua shumë, duke realizuar “triple-double”: 34 pikë, 13 asiste dhe po 13 “rebound”.

Kontribut të rëndësishëm në suksesin e Bucks dhanë edhe Middleton dhe Hill, respektivisht me 22 dhe 20 pikë, ndërsa, përveç Embiid, në radhët e 76ers tregoi formë të mirë, pavarësisht humbjes, J.J. Redick me 29 pikë.

Asnjë pengesë serioze për kampionët në fuqi të Golden State Warriors përballë Los Angeles Lakers. Në “Steples Center” dominuan kryesuesit e Perëndimit, duke fituar në fund me rezultatin 90-108.

Skuadra e Steve Kerr krijoi një distancë të madhe që në periodën e parë me një rezultat të pjesshëm 12-39, për ta administruar me shumë lehtësi më pas këtë epërsi. DeMarcus Cousins e mbylli si më i miri i sfidës me “double-double”, 21 pikë dhe 10 rikuperime.

Në takimin e tretë dhe të fundit u përballën dy ekipe matematikisht jashtë zonës play off. Sacramento Kings iu imponuan 117-104 Cleveland Vacaliers, takim ku spikati me 23 pikë Buddy Hield, me Bogdan Bogdanovic që shtoi edhe 18 pikë të tjerë për Kings.