MENU
klinika

Kufizimet për naftën

Pompeo: Trump do të vazhdojë të rrisë presionin kundër Iranit

10.04.2019 - 21:37

Presidenti amerikan, Donald Trump do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Iranit, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, para Kongresit të Shteteve të Bashkuara më 10 prill.

“Unë mund ta siguroj botën se presidenti Trump do të vazhdojë të shtojë presionin në Republikën Islamike të Iranit, në mënyrë që ata të ndryshojnë sjelljen e tyre”, ka thënë Pompeo para panelit të Senatit për Marrëdhënie për Jashtë.

Mirëpo diplomati amerikan nuk ka komentuar për mundësinë e heqjes së kufizimeve për shtetet që importojnë naftën iraniane.

Trump ka krijuar qasje të ashpër kundrejt Iranit, duke u tërhequr nga marrëveshja bërthamore që fuqitë botërore e kanë nënshkruar me Teheranin më 2015, si dhe ka rikthyer sanksionet ekonomike ndaj këtij vendi.

Më 8 prill, Trump ka njoftuar edhe se do të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit, organizatë terroriste, një hap i pashembullt që ka rezultuar me dënim nga Irani dhe ka rritur shqetësimet për sulmet hakmarrëse kundër forcave amerikane.

Ky hap i Trumpit, ka shënuar herën e parë që Shtetet e Bashkuara kanë futur në listën terroriste një ushtri kombëtare.

Ndërkohë, grupi libanez, Hezbollah që përkrahet nga Irani, nuk ka përjashtuar mundësinë e hakmarrjes nga Irani dhe aleatët e tij për sanksionet amerikane.
Lideri i këtij grupit shiit, Sayyed Hassan Nasrallah, ka thënë se të gjitha mundësitë janë në tavolinë për të marrë hapa ku “kërcënohet kombi ynë”.

“Këto janë masa, të cilat nëse merren nga amerikanët, kush ka thënë se do të mbesin pa përgjigje?”, ka thënë Nasrallah në një fjalim televiziv.

Grupi Hezbollah po ashtu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara.