Gjatë gërmimve për ndërtimin e një rrjeti metroje në Selanik, u zbulua një thesar i jashtëzakonshëm me objekte që i përkasin lashtësisë greke. Janë kurora dhe unaza prej floriri, si dhe statuja të perëndeshës Afërditë. Zhvillimi i punimeve për metronë është shtyrë, për shkak të numrit të sendeve me vlerë që u gjetën rishtas në nëntokën e qytetit helen – sipas The Telegraph.
Arkeologët kanë gërmuar më shumë se 300,000 artefakte, nga monedha dhe stoli në statuja mermeri, amfora, llamba nafte dhe vazo parfumi. Objektet janë gjetur në zonën që asokohe, duhej të ketë ekzistuar si qendra e lulëzuar tregtare e qytetit të lashtë, që ishte rajoni i dytë më i rëndësishëm në Perandorinë Bizantine, pas Kostandinopojës.
Gjatë ndërtimit për rrjetin e metrosë, arkeologët gjetën një rrugë të shtruar me gurë, ‘Decumanus Maximus’, që do të kalonte në zemër të Selanikut, gjatë shekullit të gjashtë pas Krishtit, po ashtu dhe mbetjet nga vila, dyqane, punishteje, si edhe të një kishe të hershme.
“U zbuluan më shumë se 5.000 varre, në disa prej të cilëve u gjetën kurora të arta. “Gërmimet përbëjnë projektin më të madh arkeologjik, të viteve të fundit në Greqi. Cilësia e objekteve dhe numri i tyre, janë vërtet befasuese. Ato, zbulojnë vazhdimësinë e historisë së Selanikut dhe Maqedonisë” – është shprehur Janis Milopoulos, kryetar i “Attiko Metro”, kompanisë ndërtuese.
Disa statuja të Afërditës, perëndeshës së dashurisë dhe bukurisë, u zbuluan në të njëjtin vend. Gjithashtu, në mozaikët kushtuar Afërditës, ajo shfaqet shtrirë në një shtrat, para Erosit. “Shumë statuja kushtuar perëndeshës së bukurisë Afërdita, janë gjetur në qendër të qytetit, ndërsa disa të tjera u zbuluan në zonën rreth kishës së Akeiropoietos (kishë bizantine e shekullit të pestë)” – dëshmon Dr. Polikseni Adam-Veleni, kreu i departamenti mbi antikitetet në Selanik.