Barcelona u rikthye në fushë pas humbjes shokuese ndaj Liverpoolit në Champions League.
Pasditen e sotme në “Camp Nou”, katalanasit triumfuan 2-0 Getafes në kampionat.
Me Blaugranat tashmë të shpallur kampionë, kjo ndeshje vlente vetëm për moral, por trajneri Valverde e kishte vlerësuar maksimalisht, duke hedhur në fushë një pjesë të madhe të titullarëve.
Arturo Vidal shënoi golin e parë për Barcelonën në minutën e 36’ të sfidës dhe Lionel Messi mbylli llogaritë e ndeshjes në minutën e 89’, ndërsa vlen të theksohet se kjo humbje i kushtoi shtrenjtë Getafes, që u parakalua nga Valencia në garën për një vend në zonën Champions.
Një tjetër sfidë interesante e javës së parafundit të La Ligas, ishte ajo e “Wanda Metropolitana”-s, mes Atleticos së Madridit dhe Sevillas, e cila përfundoi në barazim 1-1.
Vendasit kaluan të parët në avantazh, me anë të Koke në minutën e 35-të, ndërsa andaluzianët rikthyen baraspeshën në minutën e 70’, pas golit të Sarabrias.
Edhe kjo sfidë kishte vlerë vetëm për miqtë, që janë ende në garë për një vend në zonën Champions, ndërsa Atletico e Madridit e ka siguruar tashmë vendin e dytë në renditje.
Reali i Madridit pësoi humbjen e 11 në këtë sezon, teksa u mposht me rezultatin 3-1 në transfertën baske ndaj Real Sociedadit. Skuadra e Zinedine Zidane e nisi ndeshjen mirë, duke kaluar në avantazh me anë të Brahim Diaz në minutën e 6’, por vendasit barazuan 20 minuta më vonë, me anë të Merinos.
Për ta komplikuar mbrëmjen e madrilenëve, mendoi qendërmbrojtësi Vallejo në minutën e 39’, i cili shkaktoi një penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Realin me 10 futbollistë në fushë.
Megjithatë 11-metërshi nuk u shndërrua në gol, por Real Sociedad arriti të shënojë dy herë të tjera në pjesën e dytë, me anë të Zaldua në të 57-ën dhe Muguruza në të 67-ën, duke vulosur suksesin.