Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka folur për të ardhmen e kompeticionit më të rëndësishëm në arenën botërore për klubet, Champions League.
“Kemi kompeticionin më të mirë në botë prej shumë kohësh. Për momentin nuk e dimë kur dhe nëse do të aplikohen modifikime.
Kështu që ata të cilët kritikojnë çdo ditë, duhet të nisin të kujdesen për futbollin në vendet e tyre. Jam i sigurtë se nuk ka asgjë për të kritikuar”, deklaroi Ceferin.
“Për të ardhmen, sapo kemi dakordësuar të vazhdojmë një tjetër cikël të kompeticionit europian 2021-2024 pa ndryshuar asgjë.
Gjithsesi UEFA është një organizatë shumë dinamike dhe duhet të eksplorojë gjithmonë nëse dhe si mund të përmirësohen kompeticionet tona futbollistike”, vijoi presidenti i UEFA-s.
“Në mënyrë konstante mendojmë të përmirësohemi. Motivi për të cilin je më i miri nuk nënkupton detyrimisht se nuk mund të përmirësohesh.
Për momentin nuk kemi propozuar ende ndryshime, por kemi nisur tashmë të konsultohemi dhe të ndajmë idetë”, përfundoi presidenti Ceferin.