Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, njoftoi se zbatimi i projektit “Huaja për Politikat e Zhvillimit të Sektorit Financiar” të mbështetur nga Banka Botërore, përfundoi.
AMF tha se ishte përfituese në kolonën e tretë të këtij projekti “Forcimi i rregullimit dhe mbikëqyrjes së fondeve të investimeve”.
Megjithatë, raporti i ekipit të Bankës Botërore ka vlerësuar se AMF i ka realizuar gjithë treguesit e performancës së projektit dhe i vlerëson ato në mënyrë të kënaqshme.
Sipas njoftimit, përfshirja e AMF-së në këtë projekt solli përmirësime të kuadrit ligjor rregullues, për t’ju përshtatur zhvillimeve të vrullshme në tregun e kapitalit në vend, dhe forcoi rolin mbikëqyrës të Autoritetit.
AMF tha se në kuadër të projektit, u miratua në Kuvendin e Shqipërisë ndryshimi i legjislacionit përkatës. Bordi i AMF-së miratoi rregulloren “Për administrimin e riskut të shoqërisë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive” si edhe rregulloren “Për administrimin e likuiditetit për fondin e investimit”.
Sipas njoftimit, në shkurt të 2018 rregullorja e likuiditetit, e miratuar më herët, u plotësua me të tjera kritere duke rritur limitin e aseteve likuide që duhet të mbajnë fondet e investimeve për t’ju përgjigjur kërkesave të mundshme të investitorëve.
Sipas njoftimit, raporti i ekipit të Bankës Botërore, për kolonën e tretë ku përfshihej AMF, ka nënvizuar se të gjithë indikatorët kryesorë të performacës u arritën.
Gjithashtu raporti ka vlerësuar të kënaqshme rezultatet e arritura në këtë projekt, duke theksuar edhe përkushtimin e lartë për të arritur përmirësime të qëndrueshme në stabilitetin financiar.