Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi me dëbimin e miliona njerëzve që jetojnë ilegalisht në SHBA.
Në një seri postimesh në Twitter, Trump tha se zyrtarët e migracionit do të nisin, javën e ardhshme, procesin për “largimin e miliona të huajve të paligjshëm, që kanë gjetur rrugën për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”.
“Ata do të dëbohen sa më shpejt”, tha Trump.
SHBA-ja përballet me një fluks të madh migrantësh nga Guatemala, Salvadori, Nikaragua dhe shtete të tjera më të varfra të Amerikës Qendrore.
Numri i tyre thuhet se i ka tejkaluar kapacitetet e autoriteteve amerikane për të akomoduar dhe përpunuar të dhënat.
Migrimi ka qenë temë qendrore e fushatës së Trumpit në vitin 2016.
Trump do të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2020 dhe migrimi pritet të dominojë sërish fushatën.
Pak javë më pare Meksika ka rënë dakord të marrë “hapa të paprecedentë” për të ndihmuar në frenimin e rrjedhës së emigrantëve në SHBA në mënyrë që të shmangen tarifat tregtare të kërcënuara nga Presidenti Donald Trump.
Trump zbuloi se ishte arritur një marrëveshje për të pezulluar tarifat “për një kohë të pacaktuar” .
Marrëveshja, e konfirmuar gjithashtu nga Sekretari i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, erdhi pas tri ditësh negociata.