MENU
klinika

Bisedimet qeveri-opozitë

Venezuelë/ Përfundojnë bisedimet pa marrëveshje

11.07.2019 - 18:17

Bisedimet midis qeverisë së Venezuelës dhe opozitës se si të trajtohet kriza politike e vendit kanë përfunduar të mërkurën pa shpalljen e një marrëveshjeje.

“Ky raund i bisedimeve për dialog dhe paqe në Barbados ka përfunduar,” shkroi në Twitter Ministri i Informacionit Jorge Rodriguez, i cili udhëhoqi delegacionin e qeverisë.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në pushtet u takuan me kundërshtarët e presidentit Nicolas Maduro këtë javë në Barbados, si pjesë e bisedimeve që synonin të lehtësonin një ngërç politik që  u shkaktua nga zgjedhja e diskutueshme e Maduros në vitin 2018.

Një burim opozitar i Venezuelës i cili kërkoi të mos identifikohej tha se të dyja palët mund të takoheshin përsëri të hënën në Barbados.

Ministria e jashtme norvegjeze nuk pranoi të komentojë mbi ecurinë e bisedimeve.

Në ditët e fundit kanë qarkulluar zëra se opozita po kërkon zgjedhje presidenciale brenda nëntë muajve dhe se Maduro nuk do të ishte në pushtet gjatë votimit.

Guaido dhe Presidenti Maduro kanë qenë në konflikt që nga janari, kur  Guaido thirri kushtetutën dhe e deklaroi veten president të përkohshëm, duke argumentuar se zgjedhjet që kthyen Maduron në pushtet për një mandat të dytë në vitin 2018, nuk ishin të lira dhe të drejta.

Që atëherë, më shumë se 50 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e kombeve në Amerikën Latine, e kanë njohur Guaidon si udhëheqës legjitim të Venezuelës.

Por ushtria e Venezuelës, një forcë e fuqishme në vend, dhe aleatë me ndikim si Kina dhe Rusia mbështesin Maduron.

Ndërkohë,  kriza  ekonomike është përkeqësuar dhe mungesat e ushqimit dhe ilaçeve janë rritur akoma më shumë. Shifrat e Kombeve të Bashkuara sugjerojnë se katër milionë njerëz kanë ikur nga vendi që nga viti 2015.