Donald Trump, tha se India dhe Pakistani mund ta trajtojnë vetë mosmarrëveshjen mbi rajonin e Kashmirit, por shtoi se ai është aty nëse dy vendet kanë nevojë për ndërmjetësim.
Presidenti amerikan e diskutoi këtë çështje me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, gjatë samitit të G7-ës, grupit të vendeve më të industrializuara, që po i zhvillon punimet në Francë.
Ai tha se është i gatshëm të ndihmojë në ndërmjetësim, por shtoi se Modi e ka siguruar se e ka situatën “nën kontroll”.
Duke folur përkrah Trumpit, Modi tha se Kashmiri është një çështje dypalëshe midis Nju Delhit dhe Islamabadit.
Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit janë përshkallëzuar prejse Nju Delhi e tërhoqi statusin e veçantë të pjesës së Kashmirit të administruar nga India, ditë më parë. Rajoni i diskutueshëm i Himalajeve është i ndarë midis Indisë dhe Pakistanit, por pretendohet si tërësi nga të dyja vendet.
India ka refuzuar prej kohësh përpjekjet e jashtme për të zgjidhur konfliktin, ndërsa Pakistani ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Dy vendet kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e Kashmirit.
Në ditët e para të gushtit, në Kashmir dhjetëra mijëra trupa indiane shtesë u vendosën, një shtegtim i madh hindu u anulua, shkollat dhe kolegjet u mbyllën, turistët u urdhëruan të largoheshin, shërbimet telefonike dhe interneti u pezulluan dhe liderët politikë rajonalë u vendosën në arrest shtëpiak.
Por shumica e spekulimeve ishin që neni 35A i kushtetutës indiane, i cili i dha disa privilegje të veçanta njerëzve të shtetit, do të hiqej. Qeveria atëherë i habiti të gjithë duke thënë se po revokonte gati të gjithë nenin 370, i cili ka qenë baza e marrëdhënieve komplekse të Kashmir me Indinë për rreth 70 vjet.
Neni i lejon shtetit një sasi të caktuar autonomie, kushtetutën e vet, një flamur më vete dhe lirinë për të bërë ligje.
Si rezultat, Jammu dhe Kashmir mund të bëjnë rregullat e veta në lidhje me vendbanimin e përhershëm, pronësinë dhe të drejtat themelore. Mund të ndalojë gjithashtu indianët nga jashtë shtetit të blejnë pronë ose të vendosen atje.