Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Kadastrës në Durrës, Liridon Pulën, i cili u arrestua pak ditë më parë për “Shpërdorim Detyre”.
Në seancën e sotme ishte e pranishëm edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe.
Pas përfundimit të seancës, Braçe deklaroi publikisht për mediat se Prokurori i çështjes, Arjan Ndoj punon për një grup kriminal në Durrës.
Këtë prokuror e përmendi edhe dje kryeministri Edi Rama në Kuvend.
“Sa kohë kam që e them, këto kanë vënë pasuri marramendëse. Me çfarë i bërë zotrote, faturat e bixhozit në Monte Karlo. Nuk është pushim nga puna vetting por do të hetohet. Sot është prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe u bën shantazh nënpunëzve të shtetit. Nuk arreston qeveria, arreston drejtësia dhe procesi i një drejtësie që arreston është ky që po bëjmë“, tha Rama dje në Kuvend.
Nërkohë nuk ka vonuar shumë dhe Braçe e ka zbuluar sot me emër, teksa ka theksuar se Liridon Pula akuzohet për çështje që nuk i përkasin.
“Liridon Pula akuzohet për çështje që nuk i përkasin. Është absurde që një nënpunës i shtetit të jetë nën presionin e një prokurori që punon për grupet kriminale”.-tha Braçe.