MENU
klinika

Hetimi disiplinor

Në fuqi urdhëri i Arta Markut, shkarkon Sokol Stojanin

21.09.2018 - 13:13

Sokol Stojani, doli kundër urdhërit të kryeprokurores Arta Marku, lidhur me hetimin disiplinor kundrejt prokurorëve të tjerë të cilët refuzuan shortin për çështjen “Shullazi”.

Menjëherë pas rebelimit të tij, Marku ka urdhëruar lirimin nga detyra të Stojanit i cili mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë së Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore, Studimeve, Projekteve në Prokurorinë e Përgjithshme.

Urdhri i kryeprokurores mësohet të jetë lëshuar dy ditë më parë, duke qenë se mban datën 19 shtator.

Janarin e këtij viti, në zbatim të paketës së re të Reformës në Drejtësi, u kryen ndryshime dhe në  strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme, ku u emërua Sokol Stojani në detyrë.

Ndryshimet janë bërë gjithashtu duke u mbështetur në rregullimin e veprimtarisë së prokurorisë dhe sipas dispozitave kalimtare të Ligjit 97/ 2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”.

Sokol Stojani u vendos në krye të drejtorisë për ‘Ndihmën për Subjektet e Posaçme, Mbrojtja e Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve’, ku sektori i hetimit disiplinor, krijohej si risi dhe në përputhje me kërkesën e posaçme të dispozitave kalimtare të Ligjit 97/ 2016, neni 160, pika 5.

Sipas Markut, kjo drejtori, do të ofronte kapacitetet më të mira në funksion të hulumtimit të problematikave gjatë zbatimit të ligjit në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm.

Njëlloj do të reflektonte udhëzimet me karakter të përgjithshëm të Kryeprokurorit, elaburimin e fushave ku mund të ndërtohen projekte të së ardhmes së prokurorisë, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të burimeve të prokurorisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN