Kryeministri Edi Rama ka premtuar ngritjen e lagjeve të reja në Tiranë, Laç e Durrës pas shembjes së të gjithë banesave e pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kreu i qeverisë tha disa prej zonave ku do të vendosen lagjet e reja.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në pikat ku janë krijuar hapësira për shkak të shembjeve. Të mos jenë pika hajde këtu po ndërtojmë por të jenë hapësira të shihen si potencial për zhvillimin e qytetit dhe me parqet e kujtesës dhe me infrastrukturë. Ashtu siç jemi të qartë që duhet një ndërhyrje e fortë në Kombinat, prishje e atyre godinave dhe ndërtimi i një blloku të ri banesash për të akomoduar gjithë ata njerëz që do humbasin shtëpinë aty.
Një pikë tjetër tek ‘5 maji’ pranë lumit, është një zonë ku mund të bëjmë spostime, sepse pjesët më të prekura në kryeqytet janë Kombinati dhe zona e njësisë 4. Aty mund të bëjmë një lagje tjetër dhe një tjetër tek ish-uzina e Autotraktorëve.
10 mijë apartamente në objektivin afatmesëm dhe me objektivë afat shkurtër 10-12 muaj 5 mijë apartamente”, u shpreh kryeministri Rama.
Ai tha se vendet ku do vendosen familjet që kanë mbetur pa shtëpi nga tërmeti do jenë lagje model dhe me një miksim të familjeve të varfra me ato të shtresës së mesme.
“Do jenë lagje të reja me gjithë parametrat e furnizimit me ujë, më kanalizime, me kënde lojërash, kënde sportive, qendër shëndetësore, lagje model se si duhet të jetë Shqipëria e së nesërmes. Nuk ka asnjë kuptim që ne të ndërtojmë banesa me standarde minimaliste dhe riparime aty për aty me idenë hajde ta kalojmë këtë dhe shohim më vonë.
Duam që të jenë lagje ku të kemi miksim të familjeve të varfra me familjet e shtresës së mesme. Ku të kemi aktivitet ekonomik, një jetë sociale si në qendër të Tiranës. Programi i investimeve bën që të mos kemi thjesht një transferim të ardhurash. Tek apartamentet ekzistuese po shohim dhe po bëjmë gati të gjithë sasisë që na duhet në fazën nga çadra në shtëpi”, deklaroi Rama.
Ai dha porosi për prishjen e godinave të dëmtuara dhe për të ndihmuar banorët të nxjerrin plaçkat.
“Në Laç duhet të fillojmë shembjen e atyre godinave. Të gjitha pallatet që vizitova unë, pallatet e revolucionit demokratik duhet të shemben. Të kemi dhe në Laç një lagje krejt të re të ndërtuar me parametra të rinj. Filloni shembjen, komunikoni me banorët për të marrë gjërat që kanë brenda, ndihmojini t’i nxjerrin dhe filloni shembjen. Gjithë ato pallate duhet të rrëzohen dhe të bëhet një lagje e re e Laçit.
Të fillojmë bashkëpunimin me agjencinë shtetërore të Turqisë që premtimi i presidentit të Turqisë për të ndërtuar 500 shtëpi të realizohet.
Të shembim pa pushim Shkrel, pa pushim, në Kombinat, në Laç në Durrës, ça ka për të shembur. Në zonën e Lezhës të identifikojmë ekzaktësisht edhe njëherë nëse ka pallat për të shembur, të shembim”, u shpreh Rama.