MENU
klinika

“Poeti është një zot i vogël”

Google në 127-vjetorin e lindjes së Vicente Huidobro me një doodle

10.01.2020 - 11:00

     Poeti kilian Vicente Huidobro (1893-1948), mik i Nerudës dhe babai i krijimtarizmit poetik, është një nga të paktët poetë të shekullit, jeta e të cilit meriton një biografi të ngjeshur, e cila nuk është shkruar kurrë. Në “teoritë” e turbullta të modernizmit, ai krijoi “Krijimtarizmin” e tij, ku ishte i vetmi anëtar, si dhe udhëzonte poetët të mos i këndojnë trëndafilit, por ta bëjnë atë të lulëzojë në poezi. Pinjoll i një familjeje aristokrate, ai kishte një formim të konsoliduar kulturor./Konica.al

Kur ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, në Paris, u takua me poetët më të mëdhenj bashkëkohorë, përfshirë Apolinerin dhe Max Jacob dhe ra në kontakt me avangardën e dadaizmit dhe surrealizmit. Këtu ai formuloi, në 1917, një konceptim të ri të lirikës, të cilin e quajti “krijimitarizëm poetik”. Ai bashkëpunoi ose luftoi thuajse me të gjithë në avangardën ndërkombëtare, mori pjesë në çlirimin e Irlandës dhe Luftën Civile Spanjolle, bëri piktura të poezive të tij, qe skenarist në Hollivud, kandidat për president në Kili, por kurrë nuk e mori veten nga tmerret që pa kur ishte korrespodent në Luftën e Dytë Botërore.

Vjersha e gjatë e librit për një “antipoet”, që kalon me rropamë nëpër hapësirën e Ajnshtajnit:  “Altazor”, është padyshim poema e gjatë që lexohet me një frymë, më argëtuese e modernizmit. Ai shkroi në spanjisht dhe frëngjisht (dhe herë pas here anglisht), nganjëherë e shkruante të njëjtën poezi në dy gjuhët, duke vështirësuar kështu të kuptohej se cila është në “origjinal” dhe cila “përkthim”. “Kulla Eifel”, frymëzuar nga pikturat e Robert Delaunay, e shkruar gjatë Luftës së Parë Botërore në frëngjisht, përpiqet të luajë, siç bënte shpesh Huidobro, me dygjuhësinë e tij.

Gjiganti i motorit të kërkimit “Google”, po e feston ditëlindjen e 127-të, të Vicente Huidobro, me një “doodle” mahnitëse të ilustruar nga artistja Luisa Rivera, me origjinë nga Kili.

Poezinë e tij të parë e botoi në moshën 12-vjeçare dhe vazhdoi të studiojë letërsi në Universitetin e Kilit. Ai promovoi lëvizjen letrare avangardë në Kili dhe ishte krijuesi dhe eksponenti më i madh i lëvizjes letrare të quajtur Krijimtarizmi. Huidobro shkroi mbi 40 libra, duke përfshirë skenarë, romane, manifeste dhe poezi. I pëlqente eksperimentimi i risive letrare, njëherazi ndikoi në krijimtarinë e shumë poetëve të Amerikës Latine./Konica.al

Luisa Rivera, autorja e “doodle” shprehet: “Do të doja që njerëzit ta shihnin “Doodle” dhe të mendojnë për Vicente Huidobro, jo vetëm në aspektin e biografisë, por ta vlerësojnë atë, si poetin e madh që ai ishte. Në vend që të shohë elemente si laps e letër, që lidhen më shumë me zanatin, “Doodl” përshkruan imazhet që ai krijoi. Prandaj, shpresoj që interpretimi im të jetë një ftesë për të gjithë”.

Sipas teorisë së “krijimtarizmit poetik” poeti duhet të shmangë çdo përshkrim ose imitim të realitetit për të krijuar veprën e artit me mjete autonome. Puna e artit duhet të përbëjë një realitet të ri, të gjallë dhe përfaqësues për vete, si çdo element tjetër i natyrës. E gjithë poezia e Huidobro është e kulturuar dhe cerebrale, bazuar në metafora të guximshme dhe neologjizma imagjinare. Ka shkruar “Horizonte katror”(1917), “Sakaq”, etj.; në spanjisht shkroi “Ekuatorial” (1918), “Altazor” (1931; shkruar në 1919), “Dridhja e qiellit” (1931), “E fundit” (1934), etj.

 

Pasqyra e ujit

Pasqyra ime, rrjedhë nate,

Shndërrohet në lumë dhe ia mbath nga dhoma.

Pasqyra ime, më e thellë se globi

Aty ku janë mbytur gjithë mjellmat.

Është një pellg i gjelbër në mur

Dhe në mes fle lakuriqësia e ankoruar.

Mbi valët e saj, nën qiejt somnabul,

Ëndërrimet e mia largohen si anijet.

Në këmbë, gjithmonë do të më shihni duke kënduar.

Një trëndafil i fshehtë bymehet në gjoksin tim

Dhe një bilbil i dehur fluturon në gishtin tim.

 

Duke vijuar të shkruante në idiomën e Krijimtarizmit në romane të tilla, si: “Satira; ose fuqia e fjalëve” (1939), Huidobro mbeti një poet i frytshëm në stilin e tij karakteristik kohë më pas, pasi vetë lëvizja ishte shuar. Megjithëse, për njëfarë kohe, stili i tij u zbeh, puna e tij vazhdoi të ushtrojë ndikim të fortë te poetët e mëvonshëm latinio-amerikanë.

Njihet për veprën e tij të rëndësishme poetike dhe për themelimin e “Krijimtarizmit”; poezi të karakterizuara nga mungesa e shenjave të pikësimit, rendi i vargjeve, tematika jo të jashtëzakonshme dhe imazhe të mrekullueshme. Së bashku me Nerudën, De Rokha dhe Mistral, Vicente Huidobro konsiderohet një nga katër poetë kryesorë të Kilit dhe shpikësi i “krijimtarizmit poetik”./Konica.al