Këshilli i Sigurisë Kombëtare i thirrur sot nga presidenti Ilir Meta do të mbahet online. E zbuloi mbrëmë kryetari I PD-së, Lulzim Basha në studion e emisionit “Tempora” transmetuar në Rtv Ora
Ai tha se ka pranuar ftesën në emër të opozitës së bashkuar për të dhënë kontributin maksimal për kapërcimin e situatës së vështirë për të gjithë shqiptarët.
Lulzim Basha: “Pas shpalljes së fatkeqësisë natyrore, kryeministri duhet të mbyllë menjëherë bizneset me numër te madh të punësuarish në hapësira të mbyllura, si call center, fasoneri, fabrika të panevojshne për funksionin jetik në ekonomi. Nuk kam asnjë mëdyshje për këtë kërkesë.
Arsyeja kryesore është se mund të na zhvlerësohet çdo sakrificë tjetër, nëse vazhdojmë të mbajmë në qendrat tona urbane në Tiranë, në Durrës, Lezhë, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan vende me perqendrim të madh njerëzish, kryesisht kryefamiljarë, që mund të qarkullojnë virusin, të kthehen në shtëpi. Nuk ka asnjë alibi, duhet vepruar urgjentisht. Sot, u njoftuam për mbledhjen e Këshillit të sigurisë Kombëtare. Fillimisht u njoftuam se do të mbahej në Pallatin e Brigadave.
Më pas, erdhi njoftimi se do të bëhej online, mesa duket si masë paraprake, ndonëse u informova se edhe në Pallatin e Brigadave do të respektoheshin distancat e rekomanduara nga mjekët. Çështja është kur marrin këto masa për veten tonë pse nuk i marrim për ata që punojnë tek fasonët apo tek ata që punojnë në call center. Nuk është puna të ruajmë vetëm kurrizin tonë. Duhen marrë masa për të mbrojtur njerëzit që janë më të ekspozuar. Kjo është thirrja që kam. Jemi të vonuar në këtë drejtim, duhet bërë një orë e më parë.”