E mbani mend golin që Brehme shënoi në finalen e Kupës së Botës përballë Argjentinës dhe që Gjermania fitoi Botërorin 1990? Andreas Brehme ka 30 vite që e mban në shtëpi këtë top si kujtim i këtij momenti dhe tashmë ka vendosur ta nxjerr në ankand.
Arsyeja? Për t’i ardhur në ndihmë Italisë në luftën kundër koronavirus. Por topi i finales së luajtur në “Olimpico” në Romë nuk është i vetmi objekt i hedhur në ankand nga Andreas Brehme. Ish futbollisti ka nxjerrë në shitje edhe një prej topave që e kishte marrë në shtëpi nga seancat stërvitore tek Interi, ku qëndroi për 4 sezone.
Topat mbajnë firmat e protagonistëve dhe janë nxjerrë në ankand për shifrën e 3.150 eurove. Gjithsesi, shifra e tyre pritet të rritet para përfundimit të ankandit, të planifikuar për t’u mbyllur më 6 maj. Të ardhurat do të mblidhen nga fondacioni i gazetës Bild, “Ndihmojmë fëmijët” dhe do të shkojnë si formë mirënjohje për stafin e mjekëve italian që gjatë këtyre ditëve po i bëjnë ballë Covid-19.