MENU
klinika

Dorëshkrime arbëreshe

Shambra, për pasurinë liturgjike bizantine

05.06.2020 - 16:17

       Ndihmoi edhe për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë muzikore liturgjike bizantine të bashkësive arbëreshe, për të cilat la disa përmbledhje në dorëshkrim. Mateo Shambra ishte një studiues arbëresh dhe klerik. Ai Lindi në fshatin Kundisë (Contessa Entelina) në Sicili në vitin 1914 dhe vdiq në 1967.

Studioi në Seminarin Papnor “Benedetto XV” të Grotaferratës e më pas u transferua në Kolegjin Papnor Grek “S. Atanasio” të Romës, për të ndjekur kursin e Filozofisë e të Teologjisë. U shugurua prift në Horën e Arbëreshëve (1938). Ka vepruar fillimisht në Seminarin arbëresh të Palermos; më 1957 famullitar i S. Nicolo dei Greci (La Martorana) në Palermo.

Kreu studimet e larta për letërsi në Universitetin e Palermos (1952) dhe filloi karrierën universitare si asistent i Xhuzepe Valentinit (shih), titullar i katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Në vitin akademik 1967 merr titullin docent i lirë dhe i besohet mësimdhënia e gjuhës shqipe në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Palermos.

Për të kryer me sukses këtë aktivitet didaktik M.Sh. i kushtohet jo vetëm studimit të thelluar të shqipes së folur në bashkësitë e ndryshme arbëreshe, por edhe të shqipes moderne. Botimet më të rëndësishme të tij janë: “Giuseppe Crispi Glaviano. Mbi malin e trundafilevet” (Palermo, 1963); “La Dottrina Cristiana albanese di Luca Matranga. (Vatican, 1964); “Stato attuale della parlata albanese di Contessa Entellina – Sicilia” (1964); “Bogdanica”, vol. I, Bologna, 1965; “Evoluzione del linguaggio e del pensiero di Giuseppe Schirò dalla I alla II edizione del Te dheu i huaj (1966).

Studimet e M.Sh. hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e shkrimtareve arbëreshë, si dhe në veprimtarinë e institucioneve kulturore, fetare e kishtare arbëreshe. Dha ndihmesë edhe për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë muzikore liturgjike bizantine të bashkësive arbëreshe, për të cilat la disa përmbledhje në dorëshkrim.