Një fitore me “pesë yje” për PSG ndaj Lyon, ku protagonist kryesor ishte Kylian Mbappe, teksa shënoi 4 gola në fitoren e thellë 5-0, teksa në fillim kishte “firmosur” edhe Neymar me penallti.
Nëntë fitore radhazi në kampionat në 9 javët e para dhe PSG nuk njeh rivalë në Francë, teksa udhëheq me pikë të plota, 27, me një golaverazh të frikshëm, 32-6, me një mesatare prej 3.5 golash për ndeshje. Neymar dhe Mbappe udhëheqin me 8 gola te shënuesit më të mirë.
Pjesa e parë përfundoi vetëm 1-0, me gol të Neymar me penallti në minutën e 9-të. PSG komplikon ndeshjen, kur në minutën e 32-të Kimpembe ndëshkohet me karton të kuq. Megjithatë, forcat barazon në fundin e pjesës së parë, kur edhe Tousart i Lyon del jashtë pas dy të verdhave.
Rifillimi i lojës ka shfaqur një PSG të superkarikuar dhe një Mbappe të një planeti tjetër. Ishte pikërisht francezi 19-vjeçar, ai që në vetëm 14’ minuta, ka shënuar plot 4 gola, përkatësisht nga minuta e 61’ deri në të 74’, kur rezultati shënoi 5-0 në favor të PSG.