NBA është në fazën më interesante, ku natyrisht nuk mungon edhe spektakli. Miami Heat fitoi 112-109 ndaj Boston Cetlics në finalen e katërt play off në Konferencën e Lindjes, duke qenë një fitore larg titullit në këtë kah të NBA-së.
Skuadra nga Florida udhëheq 3-1 serinë e ndeshjeve. Sfida e luajtur në Orlando u dominua shumicën e kohës nga Miami, por pa arritur të shkëputet. Për pasojë, Boston tentoi deri në fund të triumfojë, por pa sukses.
Pas tre periodave, Miami ishte vetëm një pikë para. Qëndrueshmëria e skuadrës nga Florida bëri që në fund të shënojë edhe koshin dy pikësh dhe ta mbyllë 3 pikë para, teksa Celtics nuk arrijnë të shënojnë një trepikësh të paktën për të barazuar.
Tyler Herro, që e nisi ndeshjen nga stoli, ishte heroi i Miami në këtë ndeshje, duke realizuar 37 pikë. Mirë u paraqitën edhe Butler me 24 pikë, Dragic e Adebayo më nga 22 pikë secili.
Për Boston, më i miri ishte Tatum me 28 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. Nesër luhet finalja e katërt në Perëndim mes Los Angeles Lakers dhe Denver Nuggets, teksa kalifornianët udhëheqin 2-1.
Konferenca e Lindjes – Finale play off
Miami Heat – Boston Celtics 112-109 (3-1)
Konferenca e Perëndimit – Finale play off
Los Angeles Lakers – Denver Nuggets 106-114 (2-1)