MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

A është normale dhimbja vetëm në njërën anë të shpinës?

24.09.2021 - 09:56

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: A është normale dhimbja vetëm në njërën anë të shpinës?

Mjeku: Dhimbja spontane e njëanshme e shpinës ka disa shkaqe, kryesisht të lidhura me indin e butë (muskuli, ligamentet, kyçet). Muskujt e shpinës shtrihen në drejtim lartë-poshtë në anën e majtë dhe anën e djathtë të shtyllës kurrizore por asnjëherë nuk kalojnë në mes të saj. Kështu që nëse irritohet masa muskulore e anës së djathtë, dhimbja do të ndihet në po atë anë.

Dikush që vuan nga dhimbja prej irritimit te indeve të buta përjeton ndjesi ngurtësie të muskulit dhe dhimbje. Shpesh zona e prekur e indit bëhet e ndjeshme ndaj të prekurit, dhe lëvizjet kufizohen prej diskomfortit.

Shkaqet e dhimbjes së indeve të buta mund të jenë:

Mos lëvizja në gjumë gjatë natës: Nëse gjumi gjatë natës bëhet vetëm në një pozicion, muskujt e njërës anë të trupit bëhen të tendosura dhe rrjedhimisht shkaktojnë dhimbje.
Qëndrimi para kompjuterit: Nëse shpenzoni shumë orë të ulura para kompjuterit duke harruar të lëvizni herë pas here, mund të ndjeni dhimbje në njërën anë të shpinës.
Udhëtimet e gjata: Të qëndruarit ulur në karrige për një periudhë të gjatë kohe shpesh rezulton në tkurrje të masës muskulore. Rekomandohet ngritja në këmbë dhe lëvizja herë pas here në rast udhëtimesh të gjata me makinë apo avion.

Zakonisht dhimbjet muskulore përmirësohen me marrjen e anti inflamatorëve josterioid, pushim dhe vendosjen e kompresave me akull te zona e dhimbjes.

Kur duhet këshilluar me mjekun për dhimbjen e njëanshme të shpinës?

Nëse dhimbja e shpinës nga njëra anë është shfaqur pa shkak, do të kalojë vetë pa nevojën e mjekimit në shumicën e rasteve. Në përgjithësi ne hasim që në rreth 50% të pacientëve dhimbja e shpinës e njëanshme përmirësohet brenda dy javëve dhe në 75% të rasteve brenda 6-8 javëve.

Nëse përjetoni dhimbje të forta për 10 ditë ose më gjatë dhe mjekimet qetësuese nuk ju lehtësojnë, është koha të kontaktoni me një mjek, i cili mund tëju rekomandojë:

Barna me efekt më të fortë: Mio-relaksantët dhe anti- inflamatorët janë mjaft të dobishëm në lehtësimin e dhimbjes.
Fizioterapia: Terapistët apo osteopatët masazhojnë zonën e dhimbjes për të ndihmuar lehtësimin e dhimbjes.

Nëse dhimbja e shpinës zgjat për më shumë se 6 javë, mjeku mund të rekomandojë ekzaminime imazherike. Grafia zakonisht rekomandohet e para, për të parë nëse ka frakturë kockash apo ndonjë arsye tjetër të dukshme të dhimbjes.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.