Monaco ka pësuar sonte në mbrëmje një humbje poshtëruese në shtëpi, 0-4 nga Club Brugge. Por kjo duket se ka qenë gjysma e së keqes. Skuadra sot paradite është tronditur nga lajmi se pronari i klubit, miliarderi rus Dmitry Rybolovlev është arrestuar nga policia franceze.
Ai akuzohet për korrupsion dhe ndikim ilegal ne veprimtari të ndryshme. Sipas ” Le Monde”, oligarkut rus i janë vënë prangat sot dhe më pas është kontrolluar vila e tij në principatë. Hetimi kishte kohë që kishte filluar, por sot një gjykatës kishte lëshuar edhe urdhrin e arrestit.
Gazeta franceze bën të ditur se Dmitry Rybolovlev ka qenë i përfshirë në një skandal me tregtarin zviceran të artit, Iv Buvier, duke përfituar vepra në mënyrë të jashtëligjshme. Ai ishte hetuar që atëherë, por falë lidhjeve që kishte me policinë e Monaco dhe me Ministrin e Drejtësisë së Principatës, kishte arritur të zhdukte emrin e tij nga hetimet.
Gazeta thotë se ekzistojnë si provë me dhjetëra mesazhe telefonike mes personave në fjalë, ndërsa zyrtarët shtetërorë të përfshirë janë pushuar nga puna apo janë dorëhequr dhe do të përballen me drejtësinë.
Sigurisht që një situatë e tillë shton edhe më tepër kaosin te Monaco dhe kjo shihej sot, kur skuadra u mund pa lënë shenjë me shifrat 4-0 në shtëpi nga belgët e Club Brugge. Monaco rrezikon rënien nga kategoria. Dmitry Rybolovlev e mori nga kategoria e dytë dhe e ringjiti skuadrën, por tashmë nuk i dihet fati…