MENU
klinika

NBA

Bucks zbresin me këmbë në tokë Warriors

09.11.2018 - 11:17

Vjen humbja e dytë për Golden State Warriors dhe për këtë surprizë mendon Milwaukee Bucks. Pas 8 fitoresh radhazi, kampionët në fuqi të NBA pësuan një humbje shokuese brenda në Oracle Arena nga skuadra nga Wisconsin, me rezultatin e thellë 111-134.

Eric Bledsoe me 26 pikë dhe greku Giannis Antetokounmpo me 24 ishin dy pikëshënuesit më të mirë të Milwaukee, që u rikthye te suksesi, duke regjistruar fitoren e 9-të sezonale në 11 takime gjithsesi.

Për Warriors, lojtari më i mirë mbi parket ishte Klay Thompson me 24 pikë, ndërkohë që Kevin Durant dhe Stephen Curry nuk përmbushën aspak pritshmëritë, teksa të dy së bashku realizuan vetëm 27 pikë.

Rusell Westbrook vazhdon të mungojë por Oklahoma nuk ndalet. Në Chesapeake Energy Arena City Thunder regjistruan fitoren e 7-të radhazi falë treshes, Goerge-Adams-Schroder.

Oklahoma mposhti me rezultatin 98-80, Houston Rockets në një ndeshje të dominuar nga vendasit në të cilën James Harden realizoi vetëm 19 pikë. Bilanc i shkëlqyer edhe për Portland Trail Blazers në këtë fillim sezoni.

Skuadra nga Oregoni kaloi 116-105 Los Angeles Clippers në Moda Center, duke blinduar vendin e 3-të në konferencën e Perëndimit. Lillard me 25 pikë dhe McCollum me 23 pikë ishin dy heronjtë e Portlandit që përballë Clippers regjistroi fitoren e 9-të në këtë sezon.

Fitore e vuajtur për Boston Celtics që u rikthye te fitorja pas 2 humbjesh radhazi dhe e bëri këtë vetëm pas kohës shtesë. Në transfertën e Arizonas ndaj Phoenix Suns, koha e rregullt përfundoi me rezultatin e barabartë 100-100 ndërsa në shtesë Boston triumfoi me rezultatin 116-109, për meritë edhe të Kyrie Irving, autori i 39 pikëve.