Sot në orën 17:00, në skenën e “arTurbinës” publiku do të shohë ekspozitën dhe punimet e veçanta në një konkurs mbarëkombëtar të Novelave Grafike, i cili vjen në edicionin IV nën shenjën e “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, për të shpallur fituesit e vitit 2018.
Përveç ceremonisë së çmimeve nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës do të zhvillohet dhe hapja e ekspozitës shumë të veçantë “Legjendat Shqiptare në Novelat Grafike” edicioni IV 2018.
Për herë të parë ky konkurs kombëtar zhvillohet në bashkëpunim me Institutin e famshëm “Qyteti Ndërkombëtar i Tregimeve Vizatimore dhe Imazhit” në Angulem, Francë, i cili ofron dhe një bursë për fituesin e çmimit të parë.
Ky edicion organizohet në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Shqipëri. Kjo është edhe e veçanta e këtij edicioni të IV.
Në këtë konkurs, janë përfshirë 42 artistë, nxënës e studentë, pa dallim moshe e profesioni, në shprehjen artistike inovative të temave e subjekteve, frymëzuar nga trashëgimia, historia e identiteti ynë kulturor.
Juria ndërkombëtare e konkursit do të kryesohet nga Drejtori i la Cite internationale de la bande dessinee et de l’image, Pierre Lungheretti.