MENU
klinika

Arritja historike

Kosova, 500 mijë euro premio për ekipin

21.11.2018 - 16:37

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, njofton se Qeveria e vendit ka mbështetur propozimin e tij për t’ia ndarë ekipit kombëtar gjysmë milionë euro, si shpërblim për arritjet e deritanishme.

Djelmoshat e Bernard Challandes dje arritën ta sigurojnë një fitore me rezultat 4-0 në shtëpi kundër Azerbajxhanit, duke u promovuar kështu nga Liga D në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Për më tepër, kjo fitore ka bërë që Dardanët të kualifikohen për gjysmëfinalen e kësaj gare në të cilën do të ndeshen me Maqedoninë. Nëse Kosova arrin ta fitojë këtë ndeshje dhe finalen, e siguron kualifikimin në Evropian.

“Falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës që mbështeti propozimin tim për të ndarë 500 mijë euro për Kombëtaren e Kosovës në futboll, për sukseset e arritura deri më tash”, – ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Facebook.

“Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në shumë sporte, andaj edhe përkrahja për sportistët dhe investimet në infrastrukturën sportive do të rriten”.