Granit Xhaka, mesfushori shqiptar i Arsenal, dhe bashkëshortja e tij, Leonita, do të përballen me kritika të ashpra nga publiku, sipas gazetës angleze “The Sun”, pasi bënë shqiponjën me duar në një darkë romantike për festën e 28 Nëntorit.
Xhaka së bashku me partneren e tij e festuan përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë mbrëmë derisa darkonte në një restorant në Londër. Ata të dy e bënë një foto duke e bërë shqiponjën me duar dhe Xhaka e postoi në Instagram.
Mesfushori i Zvicrës, së bashku me Xherdan Shaqirin dhe Shkodran Mustafin, kanë marrë shumë kritika gjatë këtij viti pikërisht për shkak të këtij gjesti. Xhaka dhe Shaqiri festuan me shqiponjë pas golave të shënuar në ndeshjen kundër Serbisë në Kupën e Botës.
Shaqiri, i cili ka lindur në Kosovë, e mban flamurin e Zvicrës në njërën nga këpucët e tij, ndërsa atë të Kosovës në këpucën tjetër. Familja e tij u shpërngul në Zvicër për shkak të luftës në Kosovë.
Edhe familja e Xhakës është nga Kosova. Babai i tij kishte kaluar pothuajse katër vite si i burgosur politik në ish-Jugosllavi për shkak se e kishte përkrahur Pavarësinë e Kosovës.