Besnikëritë në kohët e sotme me një skuadër janë të rralla, por ka sportistë që e nisin dhe e përfundojnë karrierën në një klub, pavarësisht disiplinës.
Një rast i tillë deri më tani është Stephen Curry, që e ka kaluar të gjithë karrierën e te tij në NBA te skuadra e Golden State Warriors dhe dëshiron që këtë gjë ta bëjë deri në ditën e fundit që do të luajë basketboll.
Në një intervistë për ESPN, basketbollisti i skuadrës kampione konfirmoi se nëse do të ketë mundësi, do të mbyllë karrierën te skuadra ku e nisi atë.
“Uroj që kjo gjë të realizohet. Kjo është shtëpia ime, ky është vendi ku unë, për arsye të ndryshme, kam dëshirë të qëndroj përgjithnjë”, – u shpreh Curry, 3 tituj kampionë në NBA me Warriors.
Curry ka ende një kontratë 4-vjeçare me skuadrën e Golden State, nga e cila përfiton 201 milionë dollarë, e cila skadon në fund të sezonit 2021-2022.
“E dua këtë qytet, këtë stadium. E vetmja arsye që shkoj në Charlotte është se aty kam motrën time që është martuar apo kur luaj basketboll. Nuk e kam çuar asnjëherë në mendje se do të largohem nga ky qytet”, – tha Curry, tashmë 30-vjeç, një nga basketbollistët më të mirë në NBA.
“Unë nuk e di se si do të shkojë karriera ime, por mendoj se nuk do të largohem që këtu, pasi te Warriors kam ndërtuar gjithçka“, -përfundoi Curry.