Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, vlerësoi Botërorin e Katarit, duke deklaruar se faza e grupeve ka qenë më e mira ndonjëherë në një Kupë Bote dhe ka pritshmëri maksimale edhe për pjesën e mbetur, por kjo sipas tij, dihet, sepse janë 8 skuadrat më të mira të botës.
“I kam parë të gjitha ndeshjet dhe, thënë thjesht, kjo ka qenë faza më e mirë e grupeve në historinë e Kupave të Botës. Kjo është shumë premtuese për pjesën e mbetur të turneut.
Kanë qenë ndeshje me cilësi të jashtëzakonshme, në stadiume të bukura. Ne e dinim që më parë. Gjithashtu publiku në Katar ka qenë i jashtëzakonshëm. Më shumë se 51 mijë spektatorë mesatarisht për çdo ndeshje” – u shpreh Infantino.
Kreu i FIFA-s thotë se edhe audienca në mbarë botën ka qenë e shumtë, si kurrë më parë, në fazën e parë. “Shifrat e audiencës televizive kanë qenë rekord: ne tashmë kemi më shumë se 2 miliardë shikues, gjë që është vërtet e pabesueshme.
Përveç kësaj, ka pasur dy milionë e gjysmë njerëz në rrugët e Dohas dhe mijëra çdo ditë në stadiume. Kishte gola të mrekullueshëm, emocione të pabesueshme dhe surpriza. Nuk ka më skuadra të vogla dhe nuk ka ekipe të mëdha.
Niveli është goxha i barabartë. Për herë të parë kombëtaret nga të gjitha kontinentet kanë kaluar në fazën eliminatore. Kjo tregon se futbolli po bëhet vërtet global. Jam i sigurt se në fund do të arrijmë 5 miliardë shikues në të gjithë botën” – përfundoi Infantino.