Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë me 0.1 pikë përqindje gjatë muajit tetor. Megjithëse ky raport është pranë nivelit më të ulët të tetë viteve të fundit, duket se masat e viteve të fundit e kanë shteruar efektin e tyre dhe ulja e mëtejshme po rezulton e vështirë.
Deri vitin e kaluar rënia e kredive me probleme ishte sidomos rezultat i fshirjes së huave të humbura, ndërsa gjatë këtij viti, efektin kryesor në uljen e këtij treguesi po e japin ristrukturimet dhe rikthimet e kredive.
Në raportin e fundit të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë nënvizoi se ka një rënie të ndikimit të fshirjeve në përmirësimin e kredisë dhe thekson nevojën për të rritur përpjekjet në drejtim të formave të tjeratë zgjidhjes së kredive me probleme.
E rëndësishme është të thuhet se faktori që ende nuk po jep kontributin e pritshëm është zgjerimi i kreditimit. Një rritje e tepricës së kredisë do të ulte peshën specifike të kredive të këqija. Por, edhe këtë vit, huadhënia po ecën me ritme të ngadalta.
Gjatë tetorit, portofoli i kredisë pësoi sërish rënie, ndërsa me bazë vjetore është tkurrur me rreth 160 milionë euro. Problemi kryesor ngelet kreditimi i biznesit, që vuan si nga oferta e shtrënguar e bankave, ashtu edhe nga një kërkesë ende e plogësht nga sektori privat.