Një lajm i bujshëm vjen nga Zvicra. Ndonëse nuk është shpallur zyrtarisht, burime të besueshme nga brenda Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, për “Konica.al”, pohojnë se Skënderbeut i është ulur dënimi në 3 vjet për mospjesëmarrje në kupat e Europës.
Duke ruajtur konfidencialitetin e gjykatësit brenda në institucionin përkatës, bëhet me dije klubi korçar është mbrojtur mirë, por janë dy pika që, gjithsesi, nuk e shpëtojnë Skënderbeun krejtësisht.
Komisioni i Disiplinës në UEFA e dënoi me 10 vjet ekipin e Skënderbeut për mospjesëmarrje në kupat e Europës, dënim ky që u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit në UEFA. Skënderbeu u shpall kampion dhe apeloi çështjen që të paktën për 2018-n, derisa procesi të mbaronte, të merrte pjesë në Champions League.
Por CAS nuk lejoi Skënderbeun dhe gjykimi më pas vijoi jo me procedurë të përshpejtuar, por normal dhe mundet që vendimi final të jepet këtë muaj nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, që pritet të jetë 3 vjet.
Skënderbeu një vit e shleu këtë verë, ku në Champions League mori pjesë Kukësi. Mbeten edhe dy vjet të tjera. Tashmë pritet edhe vendimi i presidencës, nëse do të durojnë edhe dy vjet të tjera apo do të tërhiqen.
Skënderbeu në verë pati “hemoragji” futbollistësh, por ndërtoi sërish një ekip të mirë dhe gjendet në vendin e dytë. Flitet se ka probleme financiare, e pritshme deri diku edhe pas gjobës së majme prej 1 milion euro nga UEFA. Megjithatë, me uljen e dënimit në 3 vjet, gjërat mund të ndryshojnë në kampin korçar.