MENU
klinika

Dështimi i Kombëtares U-16 femra

Vetëm humbje, basketbolli shqiptar në krizë

21.08.2018 - 16:49

Nëse volejbolli shqiptar ka bërë pak progres, sidomos me ekipet kombëtare, basketbolli shqiptar është në krizë totale. Dhe çfarë është më e keqja, edhe ekipet kombëtare të moshave nuk premtojnë.

Nga data 16 gusht janë duke u zhvilluar ndeshjet në grup të Kampionatit Europian në Divizionin B, U-16 në basketboll për femra në Podgoricë, që përfundojnë më 25 Gusht.

Por kombëtarja shqiptare ka përfunduar të martën ndeshjen e fundit në këtë kampionat, pasi nuk ka fituar asnjë takim, madje duke i humbur shumë keq.

16 vjeçaret kuqezi kanë qenë pjesë e Grupit D me Finlandën, Bosnjë-Herzegovinën, Ukrainën, Norvegjinë dhe Bjellorusinë, por kanë regjistruar vetëm humbje. Një kambanë alarmi kjo për basketbollin shqiptar, pasi e ardhmja është në rrezik.

Ndeshja e parë kundër Finlandës ka përfunduar në rezultatin 43-139, duke regjistruar humbjen e parë në këtë kampionat. E nëse menduam se ky ishte një rezultat i dobët për shkak të emocioneve apo formës fizike të ekipit kundërshtar, ndeshja tjetër tregoi se vajzat tona kishin një ngërç, pasi edhe ndeshja e dytë përfundoi në një rezultat negativ ndaj Bosnje-Herzegovinës, 86-32.

Kombëtarja U-16 e basketbollit për femra

Ndeshja e tretë me Ukrainën do të sillte një tjetër humbje për ekipin kombëtar U-16, në rezultatin 34-66. Historia u përsërit në ndeshjen e katërt me Norvegjinë me një rezultat73-35, e ndërsa gjendja e ekipit ishte kuptuar, kjo aventurë europiane përfundoi me Bjellorusinë në rezultat 24-105.

Pesë humbje, me një mesatare 33 pikë për ndeshje, tregon se vajzat 16-vjeçare nuk janë gati për kompeticione me rivalitet të tillë, Divizioni C ndoshta do të ishte i përshtatshëm në këtë gjendje për “t’i shtrirë këmbët aq sa kemi jorganin”.

Natyrisht, nuk mund të fajësohen vetëm vajzat 16-vjeçare për këto humbje të njëpasnjshme, por nga ana tjetër, nuk ka një strategji për zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë, kur dikur sillte në pallatet e sportit plot tifozë.