MENU
klinika

Diçka nuk po funksionon!

Tregu nuk është zgjidhje për çdo gjë

08.10.2023 - 14:07

Pabarazia është fjala kyç e të ardhmes së afërt të kapitalizmit, i cili për shumëkënd ka mbërritur në fundin e vet ashtu siç është njohur. Megjithatë kapitalizmi për disa ka ende rezerva për të bërë korrigjime dhe për të rikthyer besimin te sistemi, por edhe për të mobilizuar forca dhe energji që tashmë janë margjinalizuar. Në një intervistë për “The Guardian”, nobelisti i ekonomisë, Angus Deaton vë në dukje se pabarazia është një dukuri strukturore që është konsideruar si çështje jashtë studimeve të vërteta ekonomike, bazuar “mbi këtë besimin e fortë libertarian se…edhe nëse shqetësohesh me pabarazinë do të ishte më mirë të heshtje”.

Me të dhënat e tanishme çështja nuk mund të kalohet më vetëm si studim i sociologjisë. Që nga vitet ’80 pagat kanë mbetur në vend, kurse prodhimi është dyfishuar, 10% e familjeve më të pasura amerikane zotërojnë 76% të pasurisë. 50% më i varfër vetëm 1%. Diçka nuk funksionon dhe kjo është shumë serioze. Një problem është edhe matja e varfërisë të cilin Deaton e quan “budallallëku statistikor” që sipas tij ka sjellë që “lufta kundër varfërisë të bëhet në një luftë ndaj të varfërve”.

Administrata Trump bëri diçka tjetër: e uli kufirin e varfërisë aq sa shumë pak mund të binin poshtë saj. Por ky është vetëm një truk statistikor.

Një nga gjërat që kam mësuar është se format më të thella të pabarazisë kanë ato personazhe ku jo çdokujt i jepet e njëjta vlerë si qenie njerëzore. Kjo është një lloj pabarazie kaq shqetësuese në Amerikën e sotme. Që të kesh një status të lartë, të kesh akses në punë të mira, që të njihesh si anëtar me vlerë i shoqërisë, duhet të kesh një diplomë kolegji katër vjeçare. Nëse jo, nuk ka sesi të jesh pjesë e klasës drejtuese. Nuk merr pjesë në Kongres, nuk ke punë të mirë, je i përjashtuar nga qytetet kryesore dhe ty të ndodhin të gjitha llojet e gjërave të këqija – shprehet ai.

Ky është efekt kumulativ i dekadave të një sistemi që ka ndërtuar një hierarki e cila po krijon avantazhe përherë e më shumë vetëm për një pakicë të ngushtë. Çfarë duhet bërë?

Me politkat e duhura ka një shanc që demokracia kapitaliste të funksionojë më mirë për këdo, jo vetëm për të pasurit. Nuk ka pse të abrogojmë kapitalizmin apo të shtetëzojmë në mënyrë selektive mjetet e prodhimit. Por ne duhet të rikthejmë fuqinë e konkurencës në shërbim të klasës së mesme dhe asaj punëtore. Ka rreziqe të tmerrshme përpara nëse ne vazhdojmë të drejtojmë një ekonomi që organizohet në mënyrë të tillë që një pakicë të ketë si pre shumicën – vijon ai.

Shpresa për të ndërmarrë një reformë të tillë, për të rikthyer shpirtin e kapitalizmit qëndron edhe në faktin se ka shumë ekonomi që po e shohin atë si tipar kryesor në ndërhyrje. Sipas tij popullariteti i librit të Thomas Piketty, “Kapitali në shekullin e 21-të” që trajton pikërisht këtë çështje dëshmon se diçka po lëviz në këtë drejtim dhe se ideja se “tregu rregullon çdo gjë” është një ndër mënyrat për t’i parë gjërat, jo e vetmja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN