Arsenal e ka nisur vitin e ri 2019 në mënyrën më të mirë, duke fituar në shtëpi 4-1 ndaj Fulham. “Topçinjtë” rikthehen te suksesi pas dy ndeshjesh, duke mbajtur vendin e pestë, por më afër Chelsea, që ka një ndeshje më pak.
Në këtë sukses ka shënuar gol edhe mesfushori shqiptar Granit Xhaka, madje ishte pikërisht ai që hapi serinë e golave, teksa veproi shumë mirë në zonë, duke shënuar me lehtësi përballë portierit, kur po regjistrohej minuta e 24-t.
Ndërkohë, për Xhaka-n janë bërë 3 gola në 20 ndeshjet e këtij kampionati, po aq sa kishte shënuar në 2 sezonet e mëparshme të marra bashkë (3 në 70 ndeshje).
Pas kësaj fitoreje, “Topçinjtë” kanë shkuar në 41 pikë, dy më pak se Chelsea i vendit të katërt, që ka një ndeshje më pak. Fulham mbetet në vendin e parafundit me 14 pikë.