Në ndeshjen e djeshme ka luajtur titullar për 72 minuta, duke dhënë kontributin e tij në fitoren që Liverpool arriti në transfertë. Xherdan Shaqiri po lë gjurmë këtë sezon me të kuqtë.
Mesfushori shqiptar po kalon një periudhë të shkëlqyer te Liverpool, kryesuesi i Premier League. Megjithatë, Shaqiri nuk harron edhe periudhën e tij në Itali, me skuadrën e Interit.
Aty ku u duk se zikaltrit kishin bërë blerjen më të bujshme nga Bayern Munchen dhe se shqiptari mund të bëhej lideri i ekipit të “San Siro”-s.
Nuk ndodhi kështu dhe Shaqiri, menjëherë sapo pati mundësi, u largua. Destinacioni ishte Premier League, aty ku Stoke City e priti dhe ku, më pas, u bë i mundur kalimin në “Anfield Road”.
Sot është i “përkëdhelur” nga Jurgen Kloop dhe i dashur për tifozët. E megjithatë, ka një histori të vjetër që ai ka treguar për mungesën e profesionalizmit nga ana e Interit dhe sidomos klubeve në Itali.
Për “Sport Bible”, dy vite më parë, Shaqiri do të rrëfente: “Një ditë isha i dëmtuar, por duhet të rikuperoja shpejt për të luajtur ndeshjen tjetër…Inter më tha se ishte një magjistar, një kurues që jetonte në mal.
Bëhej fjalë për në person në moshë i cili kishte aftësinë të shëronte. Mora makinën, udhëtova 1 orë e gjysmë dhe ai më kuroi, por asgjë nuk më bëri, isha si më parë”.
Më pas, Shaqiri rrëfen diferencën: “Në Angli është ndryshe. Je i dëmtuar, ke problem, atëherë janë 7 fizioterapistë që të qëndrojnë mbi kokë, të ndjekin hap pas hapi deri sa të shërohesh. Profesionalizmi vjen para së gjithash”. (Telesport)