MENU
klinika

Transferimet

10 goditjet e merkatos së dimrit në Europë

01.02.2019 - 20:49

Data 31 janar shënoi mbylljen e merkatos në Europë. Edhe pse janari nuk konsiderohet momenti më i mirë për këtë lloj “gjuetie” në futboll, kishte lëvizje të bujshme.

Ka pasur goditje, që mund të konsiderohen surprizë, si për çmimet e paguara, por edhe befasinë e lëvizjes. Milani duket më produktivi. Ja 10 prej lëvizjeve kryesore:

GONZALO HIGUAIN – Është fytyra e re e Premier League, në merkaton e dimrit. Chelsea pagoi 18 milionë euro për të marrë në huazim “9” e Milanit, i pajtuar edhe me Juventusin dhe opsionin e blerjes prej 36 milionë eurove, sipas paktit të kuqezinjve me “Zonjën e Vjetër”.

Chelsea mbetet i treti në Premier League dhe “El Pipita” duhet ta justifikojë veten me gola, në të kundërt nuk “hedh rrënjë” dot te blutë e Londrës. Shifrat që duhet të regjistrojë argjentinasi janë të mirëcaktuara, në mënyrë që Chelsea ta blejë përfundimisht sulmuesin.

higuain chelsea
higuain chelsea

ALVARO MORATA – Sulmuesi spanjoll do të luajë me “rojiblanco” për 18 muajt e ardhshëm, pasi la Chelsea në merkaton e këtij dimri dhe u bë blerja më e bujshme e La Liga-s në këtë periudhë transferimesh të futbollit.

Edhe ai duhet të kalojë një “votëbesim” në anën tjetër të Madridit (jo më te Reali), që të meritojë opsionin e blerjes (jo të detyrueshme) prej 45 milionë eurosh.

LEANDRO PAREDES – PSG-ja, siç nuk mund të ndodhte ndryshe, realizoi blerjen më të shtrenjtë të merkatos dimërore. Argjentinasi Leandro Paredes përforcon zemrën e mesfushës së parizienëve në këmbim të 47 milionë eurove, që shkojnë në arkat e Zenit, klubi që ka paguar 23 milionë euro për të, vetëm 18 muaj më parë.

KRZYSZTOF PIATEK – Pas largimit të Higuain te Chelsea, kuqezinjtë e Milanit formalizuan nënshkrimin e Krzysztof Piatek deri në vitin 2023, për 35 milionë euro.

Sulmuesi 23-vjeçar polak ka shënuar 19 gola këtë sezon në 21 ndeshje zyrtare me Genoa, midis Serie A dhe Kupës së Italisë. Në debutimin e tij si titullar me Milanin, ai shënoi dy gola ndaj Napolit, në fitoren 2-0 të çerekfinales së Kupës së Italisë.

piatek milan
piatek milan

LUCAS PAQUETA – Një tjetër blerje e madhe nga Milani, që pagoi 35 milionë euro për talentin e ri Brazilian, Lucas Paquetá.

Në moshën 21-vjeçare, ai tashmë është ndërkombëtar absolut me kombëtaren e Brazilit dhe ka bërë kërcimin e madh në futbollin europian, pasi ka luajtur 65 ndeshje me Flamengon, në të cilën ka shënuar 13 gola. Si Piatek, ai ka nënshkruar deri në vitin 2023 me kuqezinjtë.

CESC FABREGAS – Mesfushori spanjoll ka nënshkruar për 3 sezone e gjysmë me Monaco. Klubi francez mësohet se ka paguar shifrën mes 8 dhe 10 milionë eurove te Chelsea për Fabregas. M

esfushori katalanas la Premier League dhe blutë e Londrës, me të cilët kishte kontratë deri në qershor. Ai shihet si “kamerdare shpëtimi” te skuadra e Principatës, e cila është në rënie të lirë në Ligue 1.

MARIO BALOTELLI – Në moshën 28-vjeçare, Balotelli shkon te Olympique Marseille, pasi u largua falas nga klubi ku kishte luajtur tri sezonet e fundit.

Në debutimin e tij në “Velodrome” shënoi gol, por OM u mund nga Lille. Futbollisti italian ka nënshkruar për pjesën e mbetur të sezonit dhe pastaj do të jetë i lirë.

KEVIN-PRINCE BOATENG – Mesfushori u bë nënshkrimi më i papritur i merkatos së dimrit. Shkuarja e tij nga Sassuolo te Barcelona e befasoi gjithë futbollin europian.

Boateng kishte luajtur 13 ndeshje të Serie A, në këtë sezon, 10 prej tyre si startues, duke shënuar edhe katër gola. Një bast i madh i katalanasve, edhe pse e kanë marrë si alternativë futbollistin në fjalë dhe jo për titullar.

DIEGO LAINEZ – Lojtari më premtues i futbollit meksikan mbërriti nga Amerika për një shumë prej rreth 14 milionë euro. Lainez, 18 vjeç dhe 1.67 metra i gjatë, ka nënshkruar për pesë sezone e gjysmë, deri në qershor 2024, me skuadrën spanjolle të Real Betis Balompié.

BRAHIM DÍAZ – Futbollisti i ri ndryshoi Manchester City me Real Madridin, pesë vite pas largimit të tij nga Málaga. “Qytetarët”, për të mos e humbur lojtarin falas, pranuan ta shisnin talentin e ri për për 17 milionë euro, plus 7 milionë në formë variablash.

CHRISTIAN PULISIC – Mesfushori amerikan u shit merkaton e janarit nga Dortmundi te Chelsea për 64 milionë euro, duke u bërë nënshkrimi i parë më i madh i vitit 2019. Megjithatë, ai do të vazhdojë të luajë deri në fund të sezonit në Bundesligë, duke mbrojtur fanellën e verdhë.