Kanë kaluar 44 vite gati nga ajo ndeshje, por për ata që e kanë parë me sytë e tyre, apo të tjerë që e kanë dëgjuar nga rrëfimet e më të mëdhenjve, duket diçka e pamundur.
E kemi fjalën për ndeshjen e famshme të basketbollit në mes ekipeve të meshkujve të Vllaznisë dhe Partizanit, luajtur në vitin 1975 në Shkodër.
Ka mbetur në memorien e të gjithëve, sepse Vllaznia me tre lojtarë e mbylli ndeshjen me fitore ndaj Partizanit!!! Po, po, me tre lojtarë ekipi shkodran ka fituar përballë pesë lojtarëve të ekipit të kuq.
Duket diçka e pamundur. por ja që ka ndodhur kështu. Ka qenë Kupa e zhvilluar në Shkodër me rastin e 50 vjetorit të nisjes së basketbollit në këtë qytet, që mblodhi në pallatin e sportit të tij katër ekipet më të mira të vendit, Vllazninë, Partizanin, Dinamon dhe 17 Nëntorin.
Ndeshjet u zhvilluan me sistem rrethi teksa ditën e parë Dinamo fitoi ndaj Partizanit, më pas Vllaznia ndaj 17 Nëntorit, po ashtu edhe ndaj Dinamos ndërkohë që Partizani mundi 17 Nëntorin dhe ky i fundit u mund edhe nga Dinamo.
Në këtë mënyrë, fituesja e kupës do të dilte nga çifti Vllaznia- Partizani. Sfida mësohet të ketë patur shumë emocione, por njëkohësisht edhe tension.
Si rrjedhojë, dy arbitrat e ndeshjes kanë dhënë shumë personale, aq sa shtatë minuta para fundit, Vllaznia ka mbetur në fushë vetëm me tre lojtarë.
Ekipi shkodran do të luante në këto minuta pikërisht me basketbollistët Mehdi Bajri, Agim Haliti dhe Rajmond Rasha, të cilë janë në foton e këtij shkrimi të bërë menjëherë pas kësaj ndeshje dhe fitores së Kupës nga ana e tyre.
Trajner i Vllaznisë në atë ndeshje nderkohe ishte Bujar Golemi. Të përballoje Partizanin e famshëm të asaj kohe vetëm me tre lojtarë, dukej e pamundur për më tepër që kundërshtari i asaj kohe kishte në përbërje emra të tillë të shquar si Mushi, Papavangjeli, Kuqo, Zaçe etj.
Gazeta “Sporti Popullor” e datës 23 shtator 1975 kur shkruante për këtë Kupë, ne fakt e anashkalonte një fakt të tille. Në asnje rresht, nuk përmendet kjo gjë, megjithatë, ajo ka mbetur ende e freskët te protagonistët e asaj ndeshjeje, por edhe te tifozët shkodranë.
Në ato minuta kur Vllaznia mbeti me 3 lojtarë, ajo udhëhiqte me 12 pikë dhe treshja Bajri-Haliti-Rasha ka luajtur në mënyrë të përkryer.
Për 5 minuta rresht ato kanë luajtur përballë kundërshtarëve, ndërkohë që në dy minutat e fundit të ndeshjes, edhe Partizani ka mbetur me 4 lojtarë, ngaqë një tjetër lojtar i tij plotësoi numrin e personaleve.
Vllaznia ia doli ta ruante avantazhin dhe në fund ka fituar me rezultatin 83-75. duke merituar kështu edhe kupën e vënë nga organizatorët. Një fitore që ka entuziasmuar pa masë tifozët shkodranë të pranishëm në pallatin e sportit.
Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, njëri nga protagonistët e asaj fitoreje- Rajmond Rasha e kujton me nostalgji ende edhe sot pas kaq shumë vitesh.
“Ende edhe sot e kësaj dite e kujtoj me nostalgji atë ndeshje e cila ka mbetur besoj jo vetëm në memorien time, por të të gjithë shkodranëve. Fituam 3 përballë 5 lojtarëve të Partizanit dhe kuptohet që emocionet ishin të mëdha.
Si ia dolëm? Mehdi Bajri ka bërë një ndeshje të shkëlqyer. I fortë në të dy tabelat, ia ka dalë të zotërojë shumë topa në duelet me kundërshtarët, ndërsa Agim Haliti i shpejtë depërtonte dhe shënonte.
Unë ndërkohë mundohesha të shpërndaja lojën ashtu si duhet dhe, për rrjedhojë, ia dolëm të fitojmë. Diçka e paharruar që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë dhe nuk ka ndodhur as më prapa në basketbollin shqiptar.” (Gjergj Kola, Shkodra Sport)