Një tjetër basketbollist amerikan i afrohet kampionatit shqiptar. Bëhet fjalë për Aron Williams, që do të luajë në Superligën shqiptare me skuadrën e Goga Basket. Lajmin e ka konfirmuar skuadra durrsake, e cila njofton edhe se Williams, një lojtar i ri në moshë, është testuar në një ndeshje miqësore që skuadra e Gogës ka luajtur ndaj Apolonisë.
Aron Williams është amerikani i dytë që afrohet te skuadra e Goga Basket, që sezonin e ri sportiv 2018-2019 do të debutojë në Superligë. Pak ditë më parë, te ekipi durrsak ka ardhur edhe Trevor Arlanzo, të dy lojtarë të rinj në moshë dhe që janë vënë menjëherë nën urdhërat e trajnerit Nikola Milatovic.
Këto përforcime synojnë që skuadra e Goga Basket të bëjë një paraqitje të mirë në kampionat sezonin e ri, pse jo, të sigurojë një vend në ‘play off’. Në merkaton e verës, 3 basketbollistë amerikanë ka sjellë edhe ekipi i Teutës për meshkuj, ndërsa te Flamurtari për femra janë afruar dy lojtare serbe.